Lajme

Incidenti në PE, Paloka: Turpi i Shqipërisë janë Tahiri, Xhafa dhe Balla

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për përplasjet mes maxhorancës dhe opozitës ditën e djeshme në Bruksel.

Edi Paloka shkruan se kryeministri Rama vazhdon me propagandën bajate se “opozita po nxin dhe turpëron Shqipërinë”. Sipas Palokës, turp për Shqipërinë është që Tahiri, Xhafa dhe Balla, diskutohen në kancelaritë e BE-së.

“Rama vazhdon me propagandën bajate se “opozita po nxin dhe turpëron Shqipërinë”.

Është vërtet turp për Shqipërinë. Turp që Tahiri, Xhafa e së fundmi Balla, diskutohen në kancelaritë e BE si shembuj të qartë se si qeverisja e Edi Ramës është vënë në shërbim të krimit dhe jo të interesave të shqiptarëve për të ecur përpara me reformat drejt Europës.

Turp që Rama nuk gjen dot një ministër rendi të palidhur me krimin. Turp që nuk dëshiron të gjejë një deputet, i cili nuk është shërbëtor i krimit për të përfaqësuar PS në BE.

Edvin Rama dhe qeverisja e tij janë faqja më e zezë e Shqipërisë postkomuniste dhe opozita ka detyrimin t’i shpëtojë shqiptarët nga kjo e keqe”, shkruan Paloka në “Facebook”.

Më herët, në një postim në “Twitter”, Rama tregon se çfarë i ka thënë një mik i Shqipërisë në Parlamentin Europian për incidentin e djeshëm.

“Një mik i Shqipërisë në Parlamentin Europian: I dashur Edi!S'kam dashur kurrë të dëgjoj aq keq sa dëgjova sot për çka kishin bërë kolegët shqiptarë!Është e tmerrshme dhe e padëgjuar nën çatinë e BE-së!Jam pa fjalë dhe uroj të gjeni forca e kurajë për të vijuar punën por me ata...”, shkruan Rama në “Twitter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë