Ngjarje

Incident në QSUT/ Shkëputet ashensori, plagoset pacientja dhe barrelisti. Nën hetim administratori

Gazeta Si - Një paciente 80-vjeçare dhe barrelisti që e shoqëronte, janë plagosur, pasi ashensori në spitalin “Nënë Tereza” është rrëzuar.

Ngjarja ka ndodhur ditën e diel rreth orës 23:30. Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëses për t’iu ardhur në ndihmë.

Paraprakisht, dyshohet se ashensorit i është këputur një prej kavove dhe është rrëzuar, duke përfunduar në katin e nëndheshëm -1.

Si pasojë e këtij defekti pacientja 80 vjeçare ka marrë dëmtime në kokë dhe është dërguar për mjekim më të specializuar tek Spitali i Traumës.

Siç duket edhe nga fotoja e siguruar nga Gazetasi.al,, barrela e pacientes është zënë nga ashensori, duke e dëmtuar rëndë atë. I dëmtuar ka mbetur edhe punonjësi shëndetësor që shërben për të transportuar pacientët me barrelë.

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht pronarin e kompanisë “Sulollari Klima”, Ardian Sulollari pas ngjarjes.

Blutë bëjnë me dije se krahas Sulollarit, është proceduar penalisht edhe tekniku përgjegjës për mirëmbajtjen e ashensorit, Ermal Braja. Të dy ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

QSUT thekson se të gjithë ashensorët janë në sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar, të cilat kryhen periodikisht, ndërsa pritet ekspertiza e mëtejshme për të vlerësuar shkakun e incidentit.

"Pacientja u konsultua nga specialistët për këtë lëndim, si dhe vijoi konsultat dhe ekzaminimet për sëmundjen dhe pas kryerjes së skanerit me kontrast, rezultoi me tromboemboli pulmonare, diagnozë për të cilën është në mbikqyrjen e ekipit mjekësor", - deklaron QSUT në një njoftim për mediat.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë