Ngjarje

Rënia e ashensorit/ Ishte kryer ekzaminimi, por ISHMT nuk e dinte!

Gazeta Si - Ashensori i shkëputur një ditë më parë në QSUT, që shkaktoi plagosjen e dy personave, nuk ka qenë i regjistruar në ISHMT.

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka sqaruar se nuk kishte dijeni për ashensorin, pavarësisht se i ishte bërë një ekzaminim fillestar.

Mungesa e kontrolleve teknike në mënyrë periodike, duket se ka shkaktuar dhe incidentin, ku pësuan dëmtime një paciente 80 vjeçe dhe një punonjës shëndetësor.

Sipas ISHMT-së, thuhet se personi përgjegjës i produkt/instalimit, “ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve”.

Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar, personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke pasur mungesë të kontrolleve të vazhdueshme siç e parashikon edhe ligji.

Ka qenë ora 23:30 (15 maj 2022) kur barrelisti së bashku me një paciente 80-vjeçare, kanë qenë në katin -1 të godinës së spitalit kur kanë hipur në ashensor për t'u ngjitur në katin e parë.

Në mes dy kateve, ashensori ka pësuar defekt dhe ka rënë në katin -1. Të dy, pacientja dhe infermieri janë lënduar.

Pas ngjarjes, policia tha se ka proceduar penalisht pronarin e kompanisë “Sulollari Klima”, Ardian Sulollari.

Në gjendje të lirë do të hetohet edhe tekniku përgjegjës për mirëmbajtjen e ashensorit, Ermal Braja.

Të dy ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë