Drejtësia

Ahmetaj ankimon nga arratia në Kushtetuese kontrollin e banesës së partneres

Gazeta Si - Nga arratia, ku ndodhet prej disa muajsh, ish-zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese kontrollin e kryer nga hetuesit në banesën e bashkëjetueses së tij.

Ndaj Ahmetajt ka një urdhër-arrest ndërkombëtar me masë dhënë në mungesë “Arrest në burg” për veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet e SPAK-ut kanë lidhje me aferën e inceneratorëve.

Ahmetaj kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i lënë në fuqi nga Apeli dhe Gjykata e Lartë.

Sipas ankimit të bërë nga avokatët e Ahmetajt, kontrollet janë në papajtueshmëri me ligjin dhe antikushtetuese, pasi nuk ka pasur autorizim nga Kuvendi.

Sipas ankimimit, në njërën nga banesat jetonte edhe vetë Ahmetaj, i cili në atë periudhë gëzonte mandatin e deputetit.

Arben Ahmetaj kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Apel.

Ish-zëvendës kryeministri është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për llogari të SPAK, që në datën 24 korrik të këtij viti.

Ai është me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë. Ahmetaj dyshohet për 3 vepra penale korrupsion në 6 raste, fshehje e pasurisë dhe pastrim parash.

Pak javë më parë, me vendim të gjykatës dhe kërkesë të SPAK, Ahmetajt iu vunë në sekuestro edhe 6 pasuri, 4 apartamente dhe 2 llogari bankare në shumën e 124 300 euro.

Policia e Shtetit ka bërë me dije se ende nuk kanë një informacion për vendndodhjen e ish-zëvendës kryeministrit.

Disa kohë më parë, avokati i tij konfirmoi se Ahmetaj ndodhej në Angli, pranë familjes së tij. Zyrtarisht në dyert e SPAK, nuk ka mbërritur asnjë shkresë për të konfirmuar këtë informacion. Arben Ahmetaj u largua përpara se Këshilli i Mandateve t’i hiqte imuniteti dhe t’i hapte rrugë arrestimit.

Policia e shtetit njoftoi SPAK se Ahmetaj nuk ndodhej në Shqipëri dhe tashmë kërkohet nga Interpol Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë