Lajme

Inaugurohet pika kufitare me Malin e Zi në Hanin e Hotit

Është inauguruar pika kufitare me Malin e Zi në Hanin e Hotit. Të pranishëm në ceremoni kanë qenë ministri i Brendshëm, Xhafaj dhe homologu i tij malazez si dhe ambasadorja Vlahutin.

 Pika kufitare e Hanit të Hotit është transformuar rrënjësisht dhe sot qytetarët dhe bizneset përfitojnë shërbime shumë herë më të shpejta e cilësore krahasuar me disa vite më parë.

Në fjalën e tij, ministri Xhafaj tha se prioritet i qeverisë shqiptare është zhvillimi i turizmit. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje dhe falënderim për Bashkimin Europian, që kontribuoi në realizimin e këtij projekti.

“Financimi nga projektet e BE për këtë investim shkon rreth 2.5 mln euro. Shprehim falënderim për kontributin e dhënë nga BE për të kthyer këtë pikë të kalimit kufitar në një shërbim më cilësor. Qeveria shqiptare ka në prioritetet e saj zhvillimin e turizmit, ndaj po kujdeset që portat hyrëse për në vendin tonë të kenë standardet e duhura. Masat që kemi marrë në kuadër të sezonit turistik, synojnë edhe ofrimin e shërbimit cilësor në portat hyrëse. Objektet që inauguruam sot do të japin kontributin e tyre në lëvizjen e shpejtë të qytetarëve. Jemi të bindur se ky investim do të realizojë pritshmëritë, për të mundësuar menaxhimin e duhur të kufirit”, u shpreh ministri Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë