Futboll

Inaugurimi i stadiumit, Duka i bën ftesë edhe Federatës së Serbisë

Armand Duka, presidenti i FSHF-së mes të tjerash ka dhënë disa detaje në lidhje me ceremoninë e inaugurimit të stadiumit të ri,q ë do të bëhet para ndeshjes me Francën në muajin nëntor.

“Në stadiumin e ri është bërë një punë mjaft voluminoze dhe hapja e tij do të bëhet në ndeshjen me Francën. Fillimisht, do të luhet një ndeshje-festë e kampionatit të femrave. Në inaugurimin e stadiumit të ri do të jetë i pranishëm presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, por edhe shumë të ftuar të tjerë të veçantë. Në përurimin e një impianti të ëndërruar prej vitesh, do të ishte e padrejtë të mos kishim të ftuar nderi. Kemi të ftuar nga të gjitha federatat, edhe nga ajo e Serbisë. Nuk mund të fajësojmë Federatën e Serbisë për atë që ndodhi në Beograd, megjithëse kishte përgjegjësitë e saj për organizimin e ndeshjes. E vuajtën me pikët”, - theksoi presidenti i FSHF-së në një intervistë në "Ora News".

Armand Duka, president i FSHF-së. Gazeta Si, 25 tetor 2019

Kreu i futbollit në vend ka folur gjithashtu edhe kostot e stadiumit të ri, për emrin komercial të tij dhe për ndihmën e munguar të shtetit. “Kostoja për ne ka qenë fikse, 10 milionë euro, por është edhe TVSH-ja, që nuk duhej ta paguanim, por e paguam dhe duhet të na kthehet. Për emrin e stadiumit jemi në proces, sepse Federata nuk merr asnjë ndihmë nga shteti dhe ne po mundohemi të sigurojmë të ardhura për mirëmbajtjen e stadiumeve. Stadiumi në Tiranë ka një kosto të lartë dhe të ardhurat nga biletat e ndeshjeve nuk përmbushin as shpenzimet e ceremonisë së stadiumit. Duhet të na mirëkuptojnë se Federata e Futbollit ka 0 të ardhura. Vetëm një lëvizje e ekipit kombëtar kushton 100 mijë euro. Shpresoj që Qeveria, para se të inaugurojë stadiumin, të bëjë disa ndryshime ligjore për sportistët”, u shpreh Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë