Politike

Imzot Frendo kundër 8 ministreve: Kush ua dha të drejtën të flasin në emër të shqiptarëve

Letra e 8 ministreve të qeverisë Rama drejtuar Parlamentit dhe Senatit të Holandës sjellë reagimin e klerit katolik shqiptar. Imzot George Frendo, Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit me anë një reagimi publik të botuar në rrjetet sociale të Kishës Katolike ka dalë kundër përmbajtjes së letrës që Holanda etikohet si vendi shembull, pasi ky shtet lejon abortin dhe martesat brenda të njëjtit seks.

"Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit Hollandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë “nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë”. Më poshtë shkruajnë: “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën”. E pse? Sepse “ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin” dhe “keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001", thuhet në reagimin e imzot Frendos.

Më tej ai jep komentet e tij për tekstin e letrës, duke theksuar askush nuk ia jep të drejtën ministrive të flasin në emër të popullit. "Disa komente. “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Hollandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave? Janë “bija”, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se “luftojnë për familjet” – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Hollandës që ka legalizuar martesën e së njejtës gjini. Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?", shprehet imzot Frendo.

Më tej kleriku i jep një këshillë përfaqësuesve të qeverisë socialiste duke i kërkuar që të mbrojnë vlerat e Shqipërisë. "Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!", mbyll reagimin e tij izmot Frendo.

Letra e 8 ministreve te derguar per parlamentaret holandeze

Një ditë më parë, tetë ministret Xhacka, Gjonaj, Manastirliu, Spiropali, Balluku, Shahini, Margariti dhe Denaj kërkon që Parlamenti dhe Senati Holandez të mos e bllokonin cceljen e negociatave. " “Dështimi i përpjekjeve tona për të filluar bisedimet e pranimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ju keni fuqinë ta parandaloni këtë. Drita jeshile për bisedimet e pranimit do të jetë sinjali më i fortë për mijëra njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Ne e kuptojmë qasjen e kujdesshme të Hollandës drejt zgjerimit. Ne nuk kërkojmë që ju të ndryshoni pikëpamjet tuaja, pasi nuk po kërkojmë kartën e hyrjes në BE. Ne thjesht po kërkojmë që të bashkoheni me vendet e tjera të Evropës, duke i shtrirë dorën Shqipërisë, dhe të na lejoni të çojmë përpjekjet tona në një tjetër nivel”, thuhet ndër të tjera në letrën e firmosur nga tetë ministre të kabinetit Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë