Analize

“Iluzioni i frikshëm” ku BE-ja po e mban Tiranën dhe Shkupin

Vendimi për të shtyrë sërish hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm tradhti, por një gabim strategjik i Brukselit pasi siguria e Europës varet pikërisht nga stabiliteti i Ballkanit.

Vendimi i 18 qershor, i cili është cilësuar si një ftesë për aktorët e tretë në rajon, ishte zhgënjyes, por vështirë se erdhi një surprizë për Tiranën dhe Shkupin. Asnjë nga ata që i kanë ndjekur me kujdes diskutimet brenda BE-së dhe sidomos retorikën që vjen nga Franca dhe Holanda nuk prisnin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të merrnin dritën jeshile për të filluar bisedimet zyrtare të anëtarësimit.

Madje mediat europiane shkruajnë se Shqipëria nuk ka gjasa të marrë dritën jeshile as në tetor, ndërsa për Maqedoninë e Veriut situata duket më pozitive.

“Disa mbeten me shpresë për në tetor, të paktën Maqedonia e Veriut do të lejohet të hapë negociatat, por vështirë se dikush beson se Shqipëria do të marrë dritën jeshile në vjeshtë”, shkruan “Euroactiv”.

Nga ana tjetër, fuqitë e treta pritet të angazhohen edhe më shumë në rajon pas shtyrjes së negociatave, duke shfrytëzuar skepticizmin dhe zhgënjimin që mbizotëron në Shkup, Tiranë por edhe kryeqytetet e tjera të rajonit në këto momente.

Edi Rama dhe Zoran Zaev

Sipas raportit të Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Europë, besimi për perspektivën e anëtarësimit është tronditur, ndërkohë që vende si Kina kanë sinjalizuar se do të forcojnë tanimë më shumë se kurrë marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor.

"Liderëve të Ballkanit Perëndimor duket se do t’u jepet mundësia të përcjellin në Bruksel mesazhin se nëse anëtarësimi i vendeve të tyre në BE nuk përparon, ata mund të shqyrtojnë alternativa për t’u orientuar drejt vendeve të treta," thotë raporti.

BE-ja është ende partneri më i madh tregtar i jashtëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, investimet e lojtarëve të tjerë nuk duhet lënë pas dore. Rusia është fokusuar në sektorin e energjisë, dhe disa nga transaksionet e saj janë maskuar dhe transferuar nëpërmjet vendeve të treta.

Kina ka investuar shumë në rajon që nga krijimi i platformës 16 + 1 në vitin 2012.
Interesat kineze nuk janë quajtur si ndikim politik mbi Europën. Megjithatë, Komisioneri i Johannes Hahn ka shprehur shqetësime disa javë më parë rreth kredive kineze. Sipas tij, disa shtete të Ballkanit Perëndimor po marrin shumë hua nga Kina dhe nuk është e sigurt nëse do të jenë në gjendje t’i paguajnë. Në këtë rast, ato mund të jenë të prekshme ndaj dominimit kinez. Në përgjithësi, qasja kineze është e njëjtë në çdo vend të Ballkanit Perëndimor. Sektorët më të rëndësishëm janë autostradat, hekurudhat dhe burimet natyrore.

Që nga samiti i Selanikut të vitit 2003, BE ka insistuar jo vetëm në një politikë të dyerve të hapura drejt Ballkanit Perëndimor, por ka e cilësuar anëtarësimin e rajonit në bllokun europian si të pashmangshëm.

Ky argument duket se shërbeu për të errësuar qasjen e papërshtatshme dhe të dobët të BE-së për t'u marrë me mungesën e progresit thelbësor politik në rajon, veçanërisht që nga kriza financiare e vitit 2008.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri Zoran Zaev në fund të Konferencës së Ballkanit Perëndimor më 29 prill 2019 në Berlin,

Por shpresa ishte ngushëllimi i vetëm për shumë qytetarë të zakonshëm në Ballkanin Perëndimor, derisa Franca dhe Holanda e shuan edhe atë,

Tani, qasja e BE-së në Ballkanin Perëndimor duket se është zhvendosur, nga "anëtarësimi është i pashmangshëm" tek "anëtarësimi është i pamundur". Ky nuk është një ndryshim i vogël. Është një ndryshim që mund të interpretohet si tradhti, veçanërisht nga liderët e rajonit që janë angazhuar sinqerisht në agjendën euroatlantike, siç është qeveria aktuale në Shkup.

Franca dhe Holanda nuk ka gjasa që të tërhiqen. Në fund të fundit, nëse Parisi dhe Amsterdami do të ishin të shqetësuara për opinionin e publikut të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta merrnin këtë pozicion në radhë të parë.

Por kjo nuk është thjesht një çështje drejtësie. Problemi i vërtetë është se politikëbërësit francezë dhe holandezë, dhe shumë nga aleatët e tyre në kryeqytetet e tjera, duket se besojnë se BE mund të kalojë nga politika e zgjerimit tek "kontrolli i demokracisë dhe reformave" në Ballkanin Perëndimor.

Korrupsioni dhe kriminaliteti që ka mbërthyer shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të amputohen artificialisht nga BE-ja, por duhet të ndërmerren reforma serioze.
Këto janë fantazitë që këto vende ua shesin publikut dhe nuk është një politikë e kthjellët.

I tërë qëllimi i politikës së BE-së pas vitit 2003 në rajon ishte i rrënjosur në argumentin se siguria dhe stabiliteti i bllokut varet nga transformimi i juglindjes së kontinentit. Ajo që Franca dhe Holanda po përpiqen të ndërmarrin tani nuk kanë kuptim edhe në teori. Është marrëzi të besohet se BE-ja mund “t'i lajë duart” me Ballkanin Perëndimor, duke i detyruar njerëzit dhe udhëheqësit e saj të presin për dritën jeshile për një kohë të pacaktuar.

Zoran Zaev, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron

Kjo metodë do të rezultojë vetëm me emigrimin masiv dhe të vazhdueshëm drejt BE-së dhe Perëndimit të qytetarëve të zakonshëm dhe përkeqësimin e krizës politike për ata që vendosin të qëndrojnë, duke rezultuar në mënyrë të pashmangshme sigurinë e BE-së.

Më e keqja është se ky skenar do të rrisë praninë e Rusisë, Kinës, Turqisë dhe aktorëve të tjerë të huaj malinj, të etur për të shkaktuar kaos në këtë rajon strategjike të rëndësishëm për Brukselin dhe Uashingtonin.

Secili prej këtyre do të krijojë në mënyrë të pashmangshme një shumëllojshmëri krizash për BE-në. Ballkani Perëndimor do të mbetet pjesë e kontinentit europian, duke u shtrirë kundër kufijve të BE-së. Gardhet, muret dhe kufizimet e udhëtimit nuk do ta ndryshojnë kurrë këtë. Dhe afrimi i rajonit me Moskën, Pekinin dhe Ankaranë është thjesht një plagë e vetëshkaktuar nga BE-ja.

Por francezët dhe holandezët nuk janë të vetmit që duhen të fajësohen. Megjithëse kancelarja gjermane Angela Merkel ka dalë me forcë në favor të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, parlamenti gjerman ishte ai që bllokoi nisjen e bisedimeve këtë verë.

Qëndrimi i tyre ka sjellë një reagim të çuditshëm të anëtarëve lindorë të BE-së që kanë kërkuar me ngulm hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Ky bllok mund të ketë arsyet e veta, jo krejtësisht dashamirëse, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, por megjithatë është i vetmi që po mban një politikë që është në përputhje me strategjinë që Brukseli dhe shtetet anëtare kanë mbajtur për gati dy dekada.

Sigurisht, askush nuk pretendon se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë gati për anëtarësim sot, por nisja e bisedimeve siguron një kuadër të gjerë për të stabilizuar, reformuar dhe transformuar të dyja vendet.

Por nëse BE-ja lejon që rajoni të kolapset, përmes neglizhimit të qëllimshëm, Brukseli do të përballet në Ballkanin Perëndimor me makthet e tija më të këqija.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë