Drejtësia

Beqaj nuk pagoi tarifën, GJKKO urdhëron SPAK t’ia japë falas dosjen hetimore të ‘Sterilizimit’

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që t’i dorëzojë ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj aktet e dosjes së "Sterilizimit" në mënyrë elektronike pa pagesë për të cilën është nën hetim.

Vendimi u mor këtë të enjte, për shkak se ish-ministri Beqaj refuzoi të kryente pagesën prej 120 mijë lekësh të reja. Beqaj tha se vendimi ishte shumë i drejtë dhe se u rrëzua pengesa artificale e krijuar nga SPAK.

“Gjykata rrëzoi pengesën artificiale që me qëllim akuza na ka bërë gjithë këto muaj. Urdhëroi akuzën që të na vërë në dispozicion të 602 volumet në versionin elektronik, pa pagesë”, u shpreh ish-ministri pas daljes nga SPAK, nën hetim për shpërdorim detyre lidhur me koncesionin e "Sterilizimit". Ndërkohë, në orën 09:00 më 13 maj është caktuar seanca e radhës për çështjen e “Sterilizimit”.

Disa javë më parë, Ilir Beqaj u “ngujua” dy ditë brenda institucionit të SPAK për të lexuar 602 fashikujt e dosjes së tij.

Avokati i tij e justifikoi këtë veprim, duke thënë se tarifa e vendosur nga SPAK-u është shumë e lartë. SPAK e vendos tarifën në bazë të volumit të materialeve që duhen skanuar dhe printuar.

Bëhet fjalë kryesisht për skanimin e 190 mijë faqeve për 9 të pandehurit për dosjen e koncesionit të sterilizimit.

Ish-ministri i shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.

Për "Sterilizimin" janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Masat e sigurisë dhe akuzat për secilin nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh’ dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë