Mëngjesin e sotëm vija bregdetare e Jalës është përfshirë nga një aksion i fuqishëm për prishjen e 9 godinave të ndërtuara pa leje. Por, ky aksion është shoqëruar me revolta, thirrje, qëndresë nga ana e banorëve të zonës. Situata ka agravuar tej mase dhe Policia e Shtetit ka shoqëruar 7 nga pronarët e objekteve të shembura në Jalë, që kryesisht kanë shërbyer si biznese. Mes të shoqëruarve është edhe një vajzë adoleshente 14 vjeç.
Nën thirrjet “ordinerë, kriminelë, vrasës, hajdutë” të banorëve të revoltuar të Jalës, IKMT ka vijuar aksionin për shembjen e ndërtesave të klasifikuara ndërtim pa leje nga ALUIZNI.
Objektet janë kryesisht hotele një dhe dykatëshe, për të cilat banorët thonë se kishin ende pushues brenda në momentin e mbërritjes së inspektorëve.
Drejtori i IKMT thotë se kanë njoftuar konform ligjit banorët për boshatisjen e banesave, por ata kanë refuzuar të marrin njoftimin.
“Ka ardhur grupi i inspektimit para 15 ditësh dhe u ka kërkuar dokumentacionin e objekteve, i kanë refuzuar në mënyrë kategorike. As nuk kanë pranuar të dorëzojnë dokumentacion as nuk kanë pranuar të marrin dokumentacion, pra njoftimin për lirimin e objekteve. Është marrë një vendim prishje, është urdhër pune, ne jemi konform ligjit. Ndërtimet për ne janë të jashtëligjshme sepse janë refuzuar nga ALUIZNI që në datën 15 korrik, kanë pasur kohë për të vazhduar më tej me procedurat”, shprehet ai.
Ndërkohë, banorët mes ulërimash shprehen se nuk janë njoftuar paraprakisht, madje thonë se objektet janë në pronën e tyre me ligjin 7501.
“Kam dokumentet e pronës, të cilën e kemi me ligjin 7501. Ne jemi në pronën tonë dhe nuk jemi futur absolutisht asnjë metër brenda kufirit. E vetmja arsye që po na i prishin ndërtimet është se ata pretendojnë se në jemi futur brenda territorit të SHPU në Jalë, Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve. Ne e vërtetojmë që nuk është kështu me dokumente. Për këtë kemi bërë edhe ankimim në Gjykatën e Vlorës. Ne jemi në proces gjyqësor dhe e kemi ankimuar brenda afateve kohore. Sot kanë ardhur pa njoftim paraprak dhe pa një vendim”, shprehet një prej pronarëve të ndërtimeve që janë parashikuar të prishen në Jalë.
Banorët e quajnë këtë një krim monstruoz, pasi po i nxjerrin me dhunë nga pronat e tyre.
“Nuk e kemi me vjedhje, nuk e kemi me grabitje, nuk e kemi me prostitucion, nuk e kemi me drogë, nuk e kemi me krime, nuk kemi vjedhur, nuk kemi shantazhuar, nuk kemi shkatërruar njeri. I kemi me djersën e ballit. I kemi me punën 24 orë në 24. Çfarë na bëni! Pse bëhet luftë ndaj njerëzve, ndaj fëmijëve, ndaj të rinjve që ti lënë rrugë siç i kanë lënë në dete, kanale djemtë e Shqipërisë, djemtë e vendit. Pse bëhet ky krim monstruoz, duke shkatërruar pronën, djersën, duke shkatërruar jetën”, shprehet një banor tjetër.
Gjithashtu, në Jalë kanë shkuar edhe deputetët demokratë për qarkun e Vlorës, Nada Mecorapaj dhe Agron Shehaj, për të kundërshtuar prishjen e banesave të banorëve, që sipas tyre bëhet për interesa të klientëve të Ramës.
PD dënon ashpër qëndrimin e Edi Ramës kundër interesit të banorëve të Jalës në favor të interesave të tij private.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.