Politike

Ikën Harxhi nga financat, vjen Vasilika Vjero e Tatimeve

Pas largimit nga detyra e zv/ministrit të Financave, Elton Harxhit, vendin e tij e ka zënë Vasilika Vjero, e cila ka mbajtur më parë dy detyra të rëndësishme në institucionet publike; atë të drejtoreshës së përgjithshme të tatimeve nga 2016-2019 nga e cila u shkarkua nga Këshilli i Ministrave për shkak se dështoi me mbledhjen e të ardhurave dhe pozicionin e drejtoreshës së rrugëve.

Detyra e dytë zgjati vetëm 2 javë, ku Vjero zëvendësoi ish drejtoreshën Sonila Qato, për të cilën shkak i largimit nga ai post do të bëhej përplasja që ndodhi për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ku kompania Gjoka shpk akuzoi drejtoreshën. “Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën”- do të shprehej Qato në atë kohë.

Ndërsa Vjero do të arsyetonte largimin e saj nga detyra e Drejtoreshës së Rrugëve për shkaqe familjare. “Po është e vërtetë dhe lidhet me shendetin e vajzës sime dhe pamundësia ime pasi vajza është mbi çdo gjë”, tha ajo.

Burime për gazetën “Si” bëjnë me dije se kishte ditë që emri i Vjeros flitej për pozicionin e numrit të dy të financave, ndërkohë pritej të zhvillohej gjyqi për Duty Free.

Tre ditë më parë (të martën) Ministria e Financave humbi gjyqin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, pasi kishte kërkuar anulimin e licencës për shfrytëzimin e dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit për kompaninë “Albanian Duty Free Distribution”, me pronare Elona Çaushin.

Zv/ministri i Financave është ai që ka vendosur firmën për licencën e Duty Free më herët në emër të gruas së Gjin Gjonit. Qe kjo licencë që futi në një “konflikt” të sajuar kompaninë amerikane që kishte fituar të drejtën e shfrytëzimit të dyqaneve Duty Free në Aeroport. Por amerikanët u larguan më pas të dëshpëruar për shkak se procesi ishte futur në ulli të panjohura ligjore ndërkohë që dyqanet kanë mbetur peng dhe të mbyllur.

 

Më Shumë