Futboll

Igli Tare drejt largimit nga Lacio, Lotito ëndërron drejtorin kampion

Gazeta Si - Po shtohen gjithmonë e më tepër zërat për largimin e Igli Tares nga Lacio. Drejtori sportiv mund të lërë klubin bardhekaltër pas shumë vitesh, për shkak se nuk ka një marrëdhënie të mirë me trajnerin Mauricio Sarri.

Këto zëra përforcohen edhe nga fakti se presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, për sheh të gjitha alternativat për një drejtor të ri sportiv. Nëse përfundimisht raporti mes tij dhe Tares do të ndërpritet, ëndrra e Lotitos është Kristiano Xhuntoli i Napolit kampion, që ka një akord verbal me Juventusin.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 19 maj 2023

Alternativa të tjera për të marrë vendin e Igli Tares janë Paskuale Foxha dhe Akardi, sipas asaj që shkruan ‘Il Messaggero’ në Itali.

Destinacioni i mundshëm për Taren do të ishte Gjermania, nga ku ka pasur oferta më parë. Drejtuesi shqiptar ka luajtur në Gjermani dhe flet gjuhën gjermane, kështu që mund të ambientohet shumë shpejt. Po ashtu Tare, i vlerësuar me disa çmime më parë për punën e bërë, ka pasur oferta edhe nga klube të tjera italiane, mes tyre edhe Milani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë