Futboll

Igli Tare drejt Çelsit, takim sekret në Palasë me pronarin e klubit anglez

Gazeta Si – Një lajm i bujshëm për të ardhmen e Igli Tares, drejtorit sportiv shqiptar që pak kohë më parë shkëputi marrëdhëniet me Lacion pas 18 vjetësh. Ish-kapiteni i Kombëtares mund të kalojë te Çelsi në Premier Ligë dhe kjo do të ishte një lëvizje e madhe.

Gjithçka mbetet për t’u parë, por ‘Panorama Sport’ shkruan sot për një takim sekret të Igli Tares me pronarin e Çelsit, Tod Boehli, në Palasë. Takimi është bërë me ndërmjetësimin e agjentit të njohur shqiptar, Fali Ramadani, i cili ka një lidhje të fortë me Çelsin. Aty ka transferuar lojtarë të ndryshëm dhe trajnerin Mauricio Sarri.

Igli Tare, per shume vite drejtor sportiv i Lacios. Gazeta Si, 17 korrik 2023

Flitet se i pranishëm në takim ka qenë edhe kryeministri Edi Rama dhe nuk do të ishte çudi, sepse me të Tare ka marrëdhënie shumë të mira. Nëse ish-sulmuesit kuqezi do t’i besohet detyra e drejtorit sportiv të Çelsit, do të thotë se ai do të drejtojë një nga merkatot më të zhurmshme në botë.

Tare ka pasur sukses me Lacion, ku ka marrë lojtarë më shifra të ulëta dhe më pas vlerat e tyre janë shumëfishuar. Për këtë arsye drejtuesin shqiptar e kanë kërkuar edhe klube të mëdha në Itali, mes tyre edhe Milani, apo edhe në Gjermani. Por dalja në skenë e Çelsit është një lajm i bujshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë