Njerez

Ibrahimoviç tani edhe aktor, do jetë personazh në filmin e ri të sagës Asterix

E kishte paralajmëruar në skenën e Festivalit të Sanremos: "Më pëlqen të bëj aktorin". U duk si një shaka, por kur bëhet për Zllatan Ibrahimoviçin, është më mirë që të mos i nënvlerësosh batutat. Në fakt, ai do të bëjë edhe aktorin. Sulmuesi suedez i Milanit do të interpretojë një pjesë në filmin e ri të sagës Asterix të regjisorit francez Guillaume Canet.

Titulli i filmit është "Asterix dhe Obelix, perandoria në mes” dhe parashikohet të dalë në 2022-shin. Xhirimet e filmit, që duhej të bëheshin në Kinë në 2020-ën, janë vonuar për shkak të pandemisë nga Koronavirusi.

Ibrahimoviç do të jetë "Antivirusi", një legjionar roman, siç ka bërë të ditur vetë lojtari në profilin e tij në Instagram. Filmi flet për vajzën e vetme të perandorit kinez Xan Xuandi, që për të shpëtuar nga një princ keqbërës, gjen strehë në fshatin e Asterix dhe Obelix.

Mes personazheve të njohur do të kenë një rol në këtë film, përveç Ibrahimoviçit, edhe këngëtarja Angèle, youtuber-at McFly dhe Carlito, dhe reperi Orelsan. Mes aktorëve protagonistë do të jenë emra të mëdhenj si Marion Cotillard dhe Vincent Cassel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë