Shumë shpejt Elseid Hysaj mund të ketë shok skuadre suedezin legjendar, Zllatan Ibrahimoviç, i cili luan në Amerikë me Los Anxhelos Galaksi, por së fundi ka shprehur gatishmërinë për t’u kthyer në Europë, konkretisht në Serinë A.
Zllatan Ibrahimoviç i ka hapur rrugën rikthimit në Itali, duke i shkelur syrin Napolit të Hysajt dhe trajnerit Ançeloti. "Jam gati të luaj sërish në Serinë A. E ndjej veten 100% për të luajtur në Itali dhe në kampionate të tjera, - ka thënë Ibrahimoviç për “Sky Sport”. – Të shohim çfarë mundësish do të krijohen. Në Itali mund të bëj më mirë se ata që janë aktualisht. Ançeloti më kërkon te Napoli? Do të ishte shumë bukur të punoja me të", - ka pohuar sulmuesi gjatë ceremonisë së prezantimit të statujës që i është dedikuar në Malmoe.
"Kam një raport shumë të mirë me Karlo Ançelotin, - shton më tej Ibrahimoviç. – Është një trajner i madh dhe një person i shkëlqyer. Kam pasur kënaqësinë ta kem trajner për një vit. Do të kisha dashur të bëja më shumë, pasi ishte një moment i rëndësishëm për karrierën time dhe të tij. Juventusi është simboli i futbollit italian për momentin, Interi ka një trajner të madh, ndërsa për Milanin më vjen keq, sepse për mua duhet të jetë “top club” për rezultatet dhe investimet. Duhet të ketë lojtarët më të mirë në qarkullim. Gjithçka varet nga ai që e drejton dhe pa investime nuk shkon askund”, - ka përfunduar Ibrahimoviç. Ndoshta në merkaton e dimrit ai do të jetë në një ekip me Hysajn, edhe pse mbrojtësi shqiptar mbetet gjithmonë në merkato dhe mund ta largohet nga Napoli.
Elseid Hysaj është i dëmtuar aktualisht dhe do t’i mungojë Kombëtares në dy ndeshjet kualifikuese me Turqinë dhe me Moldavinë. Një mungesë e rëndësishme për kuqezinjtë, pasi Hysaj mban edhe shiritin e kapitenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.