Futboll

Ibrahimoviç flet si milanist: Shtëpia ime, do ta ndezim sërish “San Siron”

Zllatan Ibrahimoviç ka barkuar në Linate, ku është pritur nga Zvonimir Boban dhe dhjetëra tifozë. “Nuk jam arrogant, kam besim në vetvete”, – shkruante suedezi në Instagram. Koha e vizitave mjekësore dhe firmës. Prezantimi nesër në “San Siro”, në pritje të debutimit në Kupën e Italisë.

Me xhinse të errëta dhe bluzë të zezë me kapuç, Ibra është prezantuar duke buzëqeshur në ambientin kuqezi, duke thënë edhe fjalët e para pas rikthimit: “Jam shumë i kënaqur për rikthimin. Është një emocion i madh për mua, e kam thënë gjithmonë se kjo është shtëpia ime dhe më në fund ja ku jam. Kam qenë në skuadra të tjera, por jam kthyer, kjo është e rëndësishme. Një mesazh për tifozët¬? I pres të gjithë në stadium dhe shpresoj që ta ndezim “San Siro”-n si më parë”.

Mbërritja e Zllatan Ibrahimoviç në Linate. Gazeta Si, 2 janar 2020

Disa përshëndetje, batuta me Bobanin, pastaj Ibra hipi në një makinë që u bllokua për pak minuta nga tifozët, për t’iu drejtuar klinikës “La Madonnina” për vizitat mjekësore. Pastaj firma në kontratën prej 6 muajsh, që mund të zgjatet edhe për 12 muaj të tjerë. Më pas testet fizike dhe prezantimi me shokët e skuadrës. Pritja tashmë kë marrë fund dhe akti i dytë i “erës Ibrahimoviç” te Milani ka nisur.

Video e publikuar nga klubi kuqezi në Tuiter. Gazeta Si, 2 janar 2020

Klubi kuqezi, ndërsa sulmuesi ishte duke ardhur, në profilin e vet në Tuiter ka publikuar një video të shkurtër, ku shkruhej: “Duke përgatitur skenën”, një fjali e shoqëruar nga “#IZBACK”. Për nesër paradite është programuar konferenca e shtypit që do të transmetohet direkt në të gjithë kanalet e rrjeteve sociale të Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë