Futboll

Ibrahimoviç e ekzagjeron, kërkon 18 milionë euro nga Milani

“Misioni” për rikthimin kuqezi të Zllatan Ibrahimoviç ka nisur zyrtarisht, por rruga është një malore shumë e fortë. Agjenti Mino Raiola ishte në zyrat e Milanit për të kuptuar realisht se sa mundësi ka të arrihet marrëveshja dhe për momentin duket se ka një distancë të madhe mes palëve.

Sulmuesi suedez është pa kontratë pas mbylljes së aventurës me Los Anxheles Galaksi, por ka pretendime të larta financiare. Ai kërkon një milion euro në muaj, që do të thotë 18 milionë euro për një vit e gjysmë. Shumë, jashtëzakonisht shumë për arkën e Milanit, duke ditur që politika e “Elliott”, pronarëve kuqezinj, është ajo e uljes së kostove financiare. Maldini, Boban dhe Masara, nën mbikqyrjen e Gazidis, nuk mund të shkojnë më shumë se 10 milionë euro për një vit e gjysmë. Shuma e kërkuar nga Ibrahimoviç është shumë e lartë për një 38-vjeçar, edhe pse ai premton të bëjë ende diferencën. Ideja e drejtuesve të Milanit është që të nënshkruajnë një kontratë 6-mujore me sulmuesin, me opsionin për ta rinovuar edhe për një vit.

Ibrahimoviç me fanellën e Milanit. Gazeta Si, 21 nëntor 2019

Distanca mes palëve është shumë e madhe dhe gjithçka varet nga vullneti i Zllatan Ibrahimoviç. Milani mund të jetë një zgjedhje zemre për të, ashtu si ajo për të shkuar te Bolonja e mikut të tij Sinisha Mihajloviç. Aty do të fitonte shtatë milionë euro deri në vitin 2021. Kjo është situata aktuale për sulmuesin që më parë në Itali ka luajtur edhe për Juventusin dhe Interin. Ibrahimoviç e dëshiron një rikthim në Serinë A dhe tani duhet të zgjedhë fanellën. Te Milani shpresojnë që suedezi ta ulë “stekën” dhe të bashkohet me kuqezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë