Menaxhim

Ibrahimaj: Shqipëria do të rrisë kokurrueshmërinë me fuqi punëtore të kualifikuar

Nga Gazeta ‘SI’- Në një takim me biznesin e manifakturës, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, tha se tani është koha që Shqipëria të kthehet në një vend me fuqi punëtore konkurruese e të kualifikuar dhe të mos jetë më vendi me fuqi punëtore që paguhet pak.

“Nëse në vitet ’90 apo vitet 2000 ne ishim një treg ku investitorët shqiptarë dhe të huaj përhapnin biznesin e tyre sepse kishin fuqi punëtore të paguar pak dhe ne ishim atraktivë sepse fuqia punëtore paguhej pak, ne sot duhet të bëhemi konkurrues për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe sektori juaj e di më mirë se gjithë sektorët e tjerë se kualifikimi është ajo që ka vlerë dhe rëndësi”, - tha ministrja.

Në takim, bashkë me kryeministrin Edi Rama, Ibrahimaj theksoi edhe rëndësinë e respektimit të Kodit të Punës dhe garantimit të të drejtave të punonjësve lidhur me pagesat jashtë orari, fundjavave apo natën.

“Të gjithë punonjësit duhet të kenë një derë ku duhet të trokasin dhe shteti është ai që do të garantojë që dera të jetë gjithmonë e hapur, që Kodi i Punës të respektohet, që ju të paguheni me dinjitet dhe të keni mundësi të punoni me dinjitet. Është e rëndësishme që ju të paguheni nëse bëni orë jashtë orarit, nëse punoni të shtunën dhe të dielën apo gjatë natës. Të gjitha këto do të jenë pjesë e programit që do të mbulojë Ministria e Punës dhe të gjithë këto do të bëjnë që paga mesatare të vazhdojë të rritet në vijim”, tha Ibrahimaj.

Ministrja ripërsëriti se paga minimale do të rritet edhe gjatë vitit të ardhshëm dhe synohet që në vitin 2025 të arrijë 45 mijë lekë.

“Ne duam që nëpërmjet këtij vendimi të nxisim rritjen e pagave mesatare. Zgjodhëm ta fillojmë këtë fushatë për rritjen e pagave në këtë biznes, në një sektor që ndonëse si numër biznesesh zë 1% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në vend, në nivel të punësuarish zë 12.7%. Pra, 12.7% e të punësuarve në vend janë të punësuar në industrinë e tekstileve dhe këpucëve. Është shumë e rëndësishme për ne që puna të fillojë këtu, aty ku niveli i aplikimit të pagës minimale është më i lartë se në të gjithë sektorët e tjerë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë