Irena Beqiraj

Bëni aq fëmijë sa mund t’i çoni përpara edhe të vetme!


Marinela, Gilberta edhe Hegla, tre asistentet e mia brilante edhe vajza të reja shpesh më pyesnin: Na thuaj një gjë që ndikon katërcipërisht jetën e një gruaje?

Fëmija - u përgjigjesha - dhe duhet të sillni në jetë aq fëmijë sa të mundeni t’i rrisni edhe të vetme!

Unë u rrita në një familje ku pasja e një fëmije ishte detyrë, obligim i gruas ndaj vetes edhe ndaj shoqërisë. Por kur vajza ime erdhi në jetë, kuptova që të bëhesh nënë mund të jetë tërheqëse, por mëmësia ishte puna më e vështirë në botë. Mëmësia për çdo grua është një eksperiencë unike edhe të gjitha ne gjatë ushtrimit të saj mësojmë gjera të ndryshme. Mëmësia na përcakton prioritetet,  disave nga ne “u burgos" ambiciet edhe egon madje shkon deri aty "sa ti nuk je e lirë më as të vdesësh".

Njerëzit përgjithësisht nuk e zgjedhin vdekjen, por nëse fëmija yt nuk është i zoti i vetes vdekja nuk është për nënën më një opsion, ajo duhet larguar me çdo kusht.

E shtyrë nga tradhtia bashkëshortore apo nga dhuna ekstreme psikologjike, nga pamundësia ekonomike për t’i rritur 3 të vegjlit e saj, një nënë që zgjedh vdekjen për veten edhe 3 fëmijët e saj është ndjerë sa e pazonja për të vazhduar e vetme, po aq edhe e pafuqishme për t’i lënë vetëm në këtë botë,  jetimë e pa kujdesje fëmijët e saj.

Një grua zgjedh të bëhet nënë kur dëshiron thellësisht të jetë e tillë por mëmësia kërkon mjete emocionale dhe materiale për të siguruar nevojat themelore fizike, socio-emocionale dhe mendore të fëmijës që ke prurë në jetë.

Edhe pse jemi mësuar me konvencionin që burrat dhe gratë  martohen edhe në bazë  të vlerësimit sesi partneri/ja mund të kontribuojë në jetën e tyre të përbashkët, edhe në rritjen e fëmijeve në ndryshimin shoqëror-kulturor edhe ekonomik që po kalojmë, martesa është shndërruar në një institucion që ka lidhje me shoqërizimin më shumë sesa me familjen edhe fëmijët. 

Në vend të të qenit "njësi prodhimi", sot martesa duket se ka marrë formën e një njësie komplementariteti të konsumit të kohës, interesave, argëtimit edhe dëshirave të përbashkëta. Ndaj mund ta keni vënë re sesi celebrimi i krijimit të njësisë më të madhe të komplementaritetit në konsum, pra festat e bashkimit në martesë janë madhështore edhe divorci si prishje e saj, një akt rutinor i zakonshëm. Sot gruaja sa hap e mbyll sytë mund të gjendet e vetme përballë detyrës me të vështirë në botë!

Atë që i thoja dikur Marinelës, Gilbertës edhe Helgës , të cilat prisnin më së shumti t'ju flisja për suksesin, dua tua them të gjitha vajzave se përtej të qenit të gëzuara, tolerante, miqësore, të zonjat për të ngarë makinën, për t’u ngjitur  maleve; për të bërë pyetjet e duhura; për të qenë mendjehapura, dashamirëse, ​​të sinqerta, të natyrshme, duhet të pranoni se mëmësia përtej dëshirës është mundësi. Ndaj duhet të bëni aq fëmijë sa të keni mundësi t’i çoni përpara edhe të vetme!


Copyright © Gazeta “Si”