Shkencë

I verbër për 40 vjet, tani “shikon” përsëri falë një terapie të veçantë gjenesh

Për rreth 40 vjet ai kishte humbur shikimin për shkak të retinitit pigmentoz, një sëmundje gjenetike degjenerative e syrit. Tani, në moshën 58 vjeç, ai ka arritur të rikuperojë një pjesë të shikimit, të numërojë, të identifikojë, megjithëse në një mënyrë të paqartë dhe të prekë objektet falë opto-gjenetikës, teknikë që përdor impulse drite për të kontrolluar aktivitetin e qelizave, të modifikuara më parë për t'iu përgjigjur stimujve të dritës.

Rasti, një nga të parët në të cilin përdoret kjo teknikë tek njerëzit, përshkruhet në revistën  "Nature Medicine" nga grupi i Universitetit të Pittsburgh-ut, i udhëhequr nga José Sahel dhe Botond Roska.

Para trajtimit, 58-vjeçari mund të shikonte vetëm pak dritë, por nuk mund të perceptojë lëvizjen ose të identifikojë objektet.

Tani, ai sheh e numëron objekte dhe tregon se është në gjendje të shihte edhe vijat e bardha të rrugëve. Shikimi i tij është ende i kufizuar dhe atij i është kërkuar që të mbajë syze speciale që dërgojnë impulse drite në syrin e trajtuar.

Çfarë është retiniti pigmentoz

Retiniti pigmentoz është një sëmundje neuro-degjenerative e syve që shkatërron foto-receptorët, qelizat e dritës-receptuese të retinës, duke çuar në verbëri.

Për momentin nuk ka terapi të aprovuara, përveç terapisë së gjeneve, e cila funksionon vetëm në fazat e hershme të sëmundjes dhe e cila deri më tani ka qenë e suksesshme vetëm në një lloj të veçantë të lezionit gjenetik të kësaj patologjie.

Studimet

Studiuesit kanë punuar për më shumë se një dekadë në terapitë opto-gjenetike për të rikthyer shikimin tek njerëzit me sëmundje degjenerative të syve, të tilla si retiniti pigmentoz.

Terapia përfshin përdorimin e një proteine ​​të ndjeshme ndaj dritës për të bërë që qelizat nervore të lëshojnë një sinjal në tru kur ato goditen nga një gjatësi vale e caktuar drite.

Terapitë tradicionale të gjeneve mund të ndalojnë ose ngadalësojnë përparimin e sëmundjeve degjenerative të syve, por ato nuk ndihmojnë njerëzit që tashmë kanë humbur shikimin.

Nga ana tjetër, terapia opto-gjenetike mund të ndihmojë njerëzit që kanë humbur shikimin për shkak të shumë sëmundjeve degjenerative të foto-receptorëve, pavarësisht nga ndryshimet gjenetike që i shkaktojnë ato, siç është degjenerimi makular (është një sëmundje e lidhur me plakjen që prek makulën, pjesa më qendrore e retinës), i cili prek miliona njerëz në të gjithë botën.

Nga ana tjetër, terapia opto-gjenetike nuk mund të përdoret për glaukomë ose retinopati diabetike, në të cilën dëmtohen qelizat e retinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë