Njerez

I riu përfundon në komisariat: E shava policin, por Rrugorja është bërë e bezdisshme

Nga Gazeta "Si" - Policia është e bindur se po i edukon shoferët me prerjet masive të gjobave dhe kontrollet e shumta të vendosura nëpër rrugët e kryeqytetit. Por qytetarët nga ana e tyre po japin shenjat e bezdisjes dhe stresit nga tabelat që ngrihen në ajër dhe urdhërojnë në këtë mënyrë “ndalo”. Një 24-vjeçar përfundoi në polici mbasi u akuzua nga një polic rrugor që e kanosi dhe se nuk iu bind për kërkesën e përsëritur që t'i jepte dokumentat e identifikimit.

Por qytetari nga ana e tij ka hedhur poshtë këtë version duke i kujtuar oficerëve të policisë rrugore se ishin kthyer në stresues dhe të padurueshëm. “Nuk i kam kanosur punonjësit e policisë rrugore. Nga acarimi i shava nëpër dhëmbë brenda makinës sime mbasi ata më ndaluan pa të drejtë dhe pa arsye”,- deklaron në komisariatin numër tre i riu A.C që i është bindur oficerit brenda në komisariat për t’i dhënë kartën e identitetit. Një kërkesë që më herët e kishte refuzuar ta bënte si veprim te polici rrugor.

Burimet e Gazetës “Si” përmendin se incidenti me sharje dhe mosbindje ndodhi në afërsi të Shallvareve, aty ku ishte vendosur një postbllok policie për të kapur të dehurit dhe të droguarit në timon. “Ky shtetas më ngjau se po përdorte aparatin celular dhe ndaj i bëra shenjë të ndalojë”, deklaroi oficeri i policisë rrugore, bënë me dije pjesë nga dëshmia, të njëjta burime.

“Sapo ndaloi i bëra me dije arsyen e ndalimit dhe kur i kërkova dokumenta, ai më vendosi në dispozicion vetëm lejen e drejtimit duke shtuar se nuk e kishte dokumentin e identifikimit.”

Punonjësi i policisë u thotë kolegëve se ka përsëritur kërkesën për kartën e identitetit, por pasi qytetari nuk është përgjigjur, disa çaste më vonë i ka thënë, “do merrem personalisht me ty”. Mbas kësaj fraze efektivi ka njoftuar sallën për mbështetje dhe shoqërim në komisariat të qytetarit.

A të goditi qytetari e pyesin kolegët dhe a kishte sende të paligjshme në mjet dhe në dorë? Efektivi thotë që jo, por shton se shtetasi A.C ishte agresiv me fjalorin që përdori si dhe paralajmërues se do ta dëmtonte.

“E vërtetë që e shava dhe e kam tepruar, por njerëz jemi dhe durimi ka kufi”, thotë nga ana e tij qytetari sharjet e të cilit siç kuptohet i ka dëgjuar vetëm polici që e ndaloi dhe jo kolegët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë