Libra

‘I pushtuari dhe nata’, shkrimtari i ri Brajan Sukaj: Për dashurinë dhe temat e munguara të artit sot

Nga Gazeta Si - “I pushtuari dhe nata” është romani më i ri i shkrimtarit Brajan Sukaj. Një histori dashurie dhe fati përzier edhe me tema të ndjeshme të shoqërisë sot, siç është humbja e ndjeshmërisë ndaj artit, kriza e individit dhe bashkëkohësia.

Shkrimtari i ri Brajan Sukaj është vlerësuar si fitues i çmimit për Librin më të mirë në Panairin e 21 të Librit.

Disa nga librat e tij janë: “Viti i elefantit”, “Ciklopi” dhe së fundmi “I pushtuari dhe nata”.

Dy vjet më parë romani i tij në dorëshkrim “Viti i Elefantit” doli në short-listën e Çmimit Kadare.

Sukaj tregon për Gazetën “Si” më shumë detaje rreth romanit të ri “I Pushtuari dhe nata”, ku një artist do të goditet nga muza dhe mënyra e tij e jetesës ndryshon katërcipërisht.

"I pushtuari dhe nata", si mund të perceptohet në narrativë ky titull, që paralajmëron një ngjarje të trishtuar, një trazim njerëzor?

Romani trajton në thelb gjendjen njerëzore të njeriut në përgjithësi, dhe të artistit në veçanti, në bashkëkohësi. Siç dihet, një numër shumë i madh rastesh nga artistë të së kaluarës, e kanë të lidhur ngushtësisht veprimtaritë e tyre krijuese me jetët e trazuara që kanë kaluar. Libri është një riprodhim i kësaj çështjeje. Si çdo libër, nuk orvatet të japë përgjigje, por të ngre pikëpyetje, dhe njëra nga këto është: a është arti produkt i vuajtjes?

Shkrimtari Brajan Sukaj

Ju vini me këtë roman pas dy romaneve të mëparshëm të cilët janë vlerësuar për gjetjen. Këtë herë ju kërkoni të gjeni përkufizimin e artit. Një artist në kërkim të dashurisë së përjetshme dhe të pagjetshme…

Personazhi kryesor i romanit është një figurë vazhdimisht në konflikt me fatin e tij. Pra mundohet të gjejë shtigje për të shpëtuar nga një fund që ai parandien të frikshëm, pa e ditur se këto shtigje që ai mundohet të përshkojë, janë vetë fati i tij. Dy boshtet kryesore të ekzistencës së tij janë dy lidhje dashurore që janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën dhe ecin paralelisht përgjatë gjithë ngjarjes. Njëra është e vërtetë, por kurrë e materializuar. Tjetra është e gënjeshtërt, por fizike. Këto dy ndjesi të mbivendosura nuk munden veçse të drejtojnë individin drejt tragjikes.

Sa jeni ju personazhi kryesor. A ka një krizë në artin letrar shqiptar sot?

Vetëm në raste të rralla vendos elemente personale tek personazhet. Mendoj që personazhet e veprës letrare janë individë të pavarur me jetët dhe botët e tyre që shtojnë gjithnjë e më shumë popullatën e universit të madh letrar. Në këtë univers, ashtu si tek bota reale ku ne jetojmë, ka personazhe shumë të famshme, por edhe të panjohur. Mendoj që arti letrar shqiptar sot është ende i lidhur, si tematikë flas, me realitetin e para viteve ‘90, duke prekur shumë më pak tema që trajtojnë problematika më bashkëkohore. Nuk them se është një krizë, por e shoh si diçka që duhet kaluar.

Ju e quani në këtë libër dashurinë thelbësore për vazhdimësinë, sidomos për krijimin?

Dashuria është thelbësore për një vazhdimësi me sa më pak probleme. Vazhdimësi mund të ketë edhe pa dashuri por fryti i saj është i mangët. Në libër trajtohet pikërisht ky rast, pra një pasardhës i lindur jo nga dashuria, por nga rastësia dhe pasojat janë tragjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë