Politike

“I ndaluar dhe dëbuar nga Greqia”, PD: Kryebashkiak i Mallakastrës të verifikohet

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë verifikimin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në letrën e drejtuar Prokurorisë, drejtorisë së Dekriminalizimit.

Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO” – theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Faksimile e letrës së PD-së. Gazeta “Si”, janar 2020

Sipas Bardhit, specifikohet se Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

“Nga të dhënat e mbledhura nga Partia Demokratike dhe të bëra publike më parë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit të Kuvendit nr. 17/2016. Qerim Ismailaj dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi, në periudhën 1999-2000, dhe në të njëjtën periudhë ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke. Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Qerim Ismailaj ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi, por nuk ka deklaruar asnjë problem me drejtësinë greke!”, thuhet në letrën e Bardhit.
Kërkesa është kryer në përputhje me pikën 2 të nenit 7 të ligjit nr. 138/2015, paraqitet në emër të jo më pak se 500 shtetasve me të drejtë vote. Sipas ligjit organi i prokurorisë është i detyruar të nisë menjëherë procedurën e verifikimit të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit, sepse sipas ligjit kjo kryhet sa herë kërkohet nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote.

Pas Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës, Partia Demokratike po i kërkon Prokurorisë të verifikojë të kaluarën e Kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Në formularin e deklarimit të depozituar në KQZ, Ismailaj deklaron se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar apo arrestuar, si dhe i shpërngulur nga një shtet tjetër. Ndërsa në këtë formular pohon se ka jetuar si emigrant në Greqi, në Athinë nga korrik-tetor 1994, Ikaria Greqi, shkurt-qershor 1997, Mitlini në Greqi, 1998-gusht 1999. Qerim Ismailaj deklaron se nuk ka pasur emër tjetër gjatë emigrimit në Greqi. Ndërsa në zgjedhjet lokale të 30 qershorit kishte përballë kandidatin e Bindjes Demokratike, Robert Brahaj.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe vetë kryebashkiaku Ismailaj, i cili deklaroi se është i hapur për çdo verifikim të mundshëm. “Nuk jam ndaluar asnjëherë nga policia greke. Kam plotësuar formularin e dekriminalizimmit dhe në shtator të 1999 kam filluar punën si mësues në Shqipëri”, tha Ismailaj për mediat vizive.

Faksimile e dekriminalizimit të depozituar në KQZ nga Qerimaj. Gazeta “Si” 2020

“Jam i hapur për cdo lloj verifikimi të mundshëm, unë kam deklaruar formularin, në atë kohë kam punuar mësues, nuk kam qenë i ndaluar nga policia greke”- tha thënë ai.

Pyetur për vizitën e tij të fundit në Greqi pak kohë më parë ai ka thënë: Kam motrën në Greqi, ka pasur problemet e veta familjare, ky është shkaku që kam qenë. Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk kam qenë në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një detyrë zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë