Drejtësia

I dyshuar si porositës i dy vrasjeve në Elbasan, Alibej ‘refuzon’ të flasë: Kam një problem familjar

Gazeta Si - I thirrur për të dhënë shpjegime për vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Elbasan, i dyshuari si porositës për këto krime, Erion Alibej nuk ka folur para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar.

Procesi këtë të martë zhvillohej për Runajn, i cili u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të qytetit të Elbasanit në vitin 2020.

Alibej ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit dhe të pandehurit, teksa i pyetur nga gjykata ai tha se do të fliste, por në një moment tjetër.

LEXO EDHE:
Masakra e fundvitit në Elbasan, viktimat u takuan në Tiranë. ‘Erjon Alibej pas vrasjes më kërkoi një hekur ose levë’

“Jam i gatshëm të flas, por në një moment të dytë. Më ka ndodhur një problem familjar”.

Gjyqtarja i kujtoi të pandehurit se të njëjtin qëndrim ka mbajtur disa muaj më parë, por Alibej insistoi, se problemi familjar sapo i kishte ndodhur.

Kërkesa e tij u pranua edhe nga prokurori që i tha gjykatës që t’i jepej mundësia të dëshmonte në një moment tjetër.

Përveç kësaj, në GJKKO dhanë deklarimet e tyre edhe dy dëshmitarë që konstatuan të parët trupin e pajetë të Regis Runajt.

Latif e Mariglen Daka, babë e bir, thanë se ishte djali i pari që kishte konstatuar trupin dhe lajmëruar të atin, ndërsa ky i fundit ishte rikthyer me Mariglenin dhe pasi panë trupin, njoftuan policinë.

Sipas prokurorisë, Alibej në bashkëpunim me Xhulian Hoxhën dhe Euglen Halilin, ekzekutuan në dy atentate të zhvilluara brenda 1 jave në Elbasan, Ramazanin dhe Runajn për motive hakmarrje dhe duke vepruar si grup kriminal.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alibej kishte porositur dhe organizuar vrasjet  pas dyshimeve që ka pasur se dy viktimat ishin implikuar në vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, në vitin 2018 në Brdashesh, ku mbetën të vrarë edhe dy persona të tjerë të afërt të tij.

Referuar dosjes, në vrasjen e Emiljano Ramazanit, dy bashkëpunëtorët e Alibejt kanë pasur rolin e vëzhguesit duke raportuar për lëvizjet e tij, ndërsa vrasja është kryer nga një person tjetër.

Ndërkohë, 23-vjeçari Regis Runaj, lidhje e ngushtë e Ramazanit, u ekzekutua nga Euglen Halili, i cili e ka qëlluar atë me thikë gjatë momentit që të dy po lëviznin me motor, fillimisht në qafë, e më pas e ka goditur 27 herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë