Drejtësia

I dogji dy herë lokalin Noizy-t, lihet në burg kushëriri i reperit

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Eraldo Musteqajn, i cili i dogji 2 herë lokalin kushëririt të tij, reperit të njohur Noizy.

26-vjeçari akuzohet edhe për zjarrvënie të qëllimshme në derën e banesës së nënës së Noyzi-t.

Ngjarjet u zbardhën javën e kaluar, pasi lokali i Noizy-t në zonën e Currilave u dogj për herë të dytë, një ditë pas inaugurimit.

Noizy reagoi në rrjete sociale, duke thënë se i riu ishte rritur në shtëpinë e tij dhe e cilësoi aktin e tij si terrorist.

Nga ana tjetër, Eraldo Musteqja është ankuar se policia e keqtrajtoi gjatë arrestimit në flagrancë. Ai u kap në zonën e Currilave nga punonjësit e policisë, pak pas rënies së zjarrit dhe ka bërë rezistencë ndaj tyre. Në momentin e arrestimit atij iu sekuestrua edhe një thikë.

Në sallën e gjyqit, 26-vjeçari nuk ka pohuar, as ka mohuar akuzën për zjarrvënie, ndërsa ka deklaruar se ka reaguar pasi policët kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Përveç zjarrit të 29 qershorit, Musteqja dyshohet se është autor dhe i dy zjarrvënieve të tjera, njëra më 11 qershor në të njëjtin lokal i cili u shkrumbua thuajse plotësisht dhe më 10 qershor në derën e shtëpisë së familjes së këngëtarit.

Pas zjarrit që ra javën e kaluar për herë të dytë në lokalin e tij, reperi deklaroi se kushëriri i tij është besimtar ekstremist dhe kundër alkoolit dhe muzikës që luhet në lokal. Sipas tij, ky është shkaku i konfliktit mes tyre që çoi në akte ekstreme 26-vjeçarin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë