Drejtësia

I dënuar për vrasje në Itali, Gjykata e Lartë rrëzon dy burgime të përjetshme për Almir Harunin

Gazeta Si - Gjykata e Lartë rrëzoi dy burgime të përjetshme për shtetasin shqiptar Almir Haruni, i njohur edhe me emrin Pjetër Dedja, pasi ishte dënuar për vrasje të dyfishtë në Itali.

Dy shkallët e gjyqësorit në Shqipëri njohën vendimin e dënimit në Itali në vitin 2006 për 48-vjeçarin nga Gramshi. Por 6 vite nga rekursi i Harunit, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e prishën këtë vendim.

48-vjeçari Haruni, i cili vuan burgimin në Shqipëri, dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e dy kushërinjve, Astrit dhe Flamur Kolaveri në Itali.

Haruni, i cili përdorte dhe emrin Pjetër Dedja, përveç vrasjes së Astrit dhe Flamur Kolaverit, kreu një tjetër vrasje të dyfishtë po në Itali.

Më 14 mars 2006, në një zonë të izoluar në pyll, Haruni vrau Kujtim Ibaj, 25 vjeç dhe Florinda Mukja, 28 vjeçe në Maresana, po në zonën e Bergamos.

Zbulimi erdhi nga analiza e njollave të gjakut të gjetur në vendin e vrasjes së çiftit nga Elbasani, pasi vrasja e dyfishtë ishte kryer me pistoletë dhe thikë.

Përveç kësaj, Almir Haruni rezulton se ka kryer vrasje dhe në Shqipëri. Ai është i dënuar me më 18 vite burg për vrasje të kryer në Gramsh, më 6 korrik 1997.

Pas dënimit me burgim të përjetshëm në Itali, Haruni kërkoi që të ekstradohej në Shqipëri për të kryer dhe dënimin bashkë me 18 vite për vrasjen tjetër, ku autoritetet vendosën ta pranonin kërkesën në vitin 2017.

Arrestimi i tij në Itali erdhi me shumë vështirësi, pasi përdorte pesë pasaporta shqiptare me identitete të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë