Lajme

I dehur në timon, arrestohet portieri i Partizanit, Alban Hoxha

Policia e Tiranës ka arrestuar portierin e Partizanit dhe të Kombëtares së Shqipërisë, Alban Hoxha, i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Ngjarja ka ndidhur mbrëmjen e së shtunës dhe sipas ligjit, Hoxha duhet të qëndrojë 72 orë në paraburgim, para se të gjykohet në gjendje të lirë. Lajmi i bërë publik nga “Top-Chanel” ka tronditur klubin e Partizanit, që pas humbjes në Vlorë po mendon për derbin me Tiranën.

Alban Hoxha është një nga lojtarët kryesorë të Partizanit dhe kjo sjellje e tij sigurisht që do të ketë ndikim në ambientin e kuq. Bëhet fjalë për një veprim të dënueshëm me ligj, kur sportistët në fakt duhet të jenë modeli për t’u ndjekur nga të gjithë.

Pas kontrolleve të kryera nga policia, është konstatuar se Hoxha kishte kaluar masën 0.51 mg/l, ndaj dhe është bërë menjëherë ndalimi i tij. Hoxha nuk luajti në ndeshjen me Flamurtarin për shkak dëmtimi, por klubi i kuq bëri me dije se ai do të ishte gati për derbin me Tiranën. Megjithatë, pas ngjarjes së fundit pritet që klubi të marrë masa ndaj portierit dhe kapitenit të vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë