Drejtësia

I akuzuar për shpërdorim detyre, kalon për gjykim dosja ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Dako

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësjt, Vangjush Dako dhe ish-zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Në seancën e kësaj të mërkure Dako nuk ishte i pranishëm, ndërsa akuzohet për “shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”, në dy raste. Herën e shkuar pasi doli prej Gjykatës së Posaçme, ai nuk dha asnjë koment për mediat, ndërkohë që në seancën gjyqësore kishte mohuar çdo akuzë të ngritur ndaj tij.

Hetimet kanë në fokus “Promenadën bregdetare”, si dhe ndërtimin e disa kateve pa leje në një pallat në qytetin e Durrësit.

Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, ndërsa që prej 7 shkurtit të këtij viti ndodhet në “arrest shtëpie”.

Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.

Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua.

Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.

Akuzat e GJKKO-së

Vangjush Dako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim (dy herë).

Fiqiri Farruku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim

Fatmir Ejupi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim

Adrian Bulku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim

Ferzilet Hajdëri, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”

Adnand Toçila, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim

Diana Dedja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim

Bashkim Salillari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim

Hanza Reka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, trupës gjyqësore të themelit pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë