Drejtësia

I akuzuar për rrëmbimin e Jan Prengës, shtyhet seanca për Dritan Rexhepin (i arrestuar në Turqi)

Gazeta Si - Mungesa e njoftimit të tij në burg pas arrestimit në Turqi, ka detyruar GJKKO-në të shtyjë seancën për Dritan Rexhepin, i cili është marrë i pandehur si porositës i rrëmbimit të Jan Prengës.

SPAK ka kërkuar që të njoftojë Rexhepin në Turqi për nisjen e procesit gjyqësor në ngarkim të tij në Shqipëri, por deri tani një gjë e tillë nuk është arritur.

Gjykata e Posaçme ka marrë pandehur Dritan Rexhepin dhe 6 persona të tjerë, si organizator dhe porositës të rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës në Kamzë në vitin 2021.

Ndërkohë, ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia drejt Shqipërisë duket se do të jetë një proces i i gjatë.

Javën e shkuar, autoritetet shqiptare njoftuan se kishin nisur procedurat për të kërkuar ekstradimin e tij, duke i bashkëlidhur kërkesës dërguar autoriteteve turke edhe dënimet e dhëna nga drejtësia jonë.

Shqipëria e ka dënuar Rexhepin për vrasje me 25 vjet burg, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh dhe e akuzon si urdhërues të një rrëmbimi me pasojë vdekjen, si dhe trafik narkotikësh.

Nga ana tjetër, në Itali 43-vjeçari është dënuar për trafik narkotikësh me 16 vite burg dhe është i pandehur si drejtues i organizatës “Compania Bello”.

Italia e cila luajti rolin kryesor në kapjen e 43-vjeçarit, gjithashtu është e interesuar për ta nxjerrë atë para drejtësisë. Me anë të një komunikimi zyrtar të shtunën, Polica italiane bëri të ditur se edhe ajo kishte dorëzuar në Turqi kërkesën për ekstradim.

Përtej kritereve që lidhen me rrezikshmërinë e veprave penale, një tjetër kriter shumë i rëndësishëm që duket se në këtë rast do të jetë vendimtar, është se cila kërkesë për ekstradim regjistrohet e para pranë autoriteteve turke.

Arrestimi i tij u bë në një lagje të Stambollit, ku ai fshihej me një identitet të rremë. Lajmin e bëri të ditur ministri i brendshëm turk, Ali Yerlikaya i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane u arrestuar gjatë operacionit “Kartel” të organizuar nga autoritetet turke në një vilë luksoze në Stamboll.

Gjatë ndalimit atij iu gjetën armë, sasi të mëdha monetare, drogë dhe sende të tjera me vlerë.

Rexhepi ishte futur në Turqi nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur falë shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve turke, italiane dhe atyre shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë