Drejtësia

I akuzuar për blerje votash, Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim ankimin e Fredi Belerit

Gazeta Si - Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim ankimimin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.

Kandidati fitues i Bashkisë së Himarës, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi kundërshton arrestimin dhe mbajtjen në qeli, duke kërkuar rrëzimin e vendimeve të 3 gjykatave të tjera që e lanë në burg.

Më herët, në Gjykatën e Posaçme dosja ndaj Belerit ka kaluar aktualisht për gjykim.

Fredi Beleri u arrestua 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit, në të cilat rezultoi fitues, me akuzën e blerjes së votave.

Pavarësisht kësaj, Beleri, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ende nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, pasi drejtësia në disa shkallë ka refuzuar kërkesën e tij për të dalë nga burgu.

SPAK e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë