Futboll

Hysaj triumfon në ‘Maradona’, Lacio mund Napolin dhe kap vendin e dytë

Gazeta Si – Napoli bie në “Maradona” ndaj Lacios së Elseid Hysajt. Një gol i Matias Vesinos i ka dhënë 3 pikë të arta skuadrës së Sarrit, që ka kapur vendin e dytë, duke parakaluar për momentin Interin dhe Milanin.

Një rezultat shumë i rëndësishëm ky për Lacion në javën e 25-të të Serisë A. Lacio ka frenuar kështu arratisjen e Napolit kryesues dhe është ngjitur në kuotën e 48 pikëve.

Vesino feston golin e fitores ndaj Napolit. Gazeta Si, 3 mars 2023

Në pjesën e parë Hysaj me shokë ndalën manovrat e skuadrës së Spaletit. Di Lorenco shmangu golin, duke hequr topin në linjë pas një gjuajtje me kokë të Vesinos. Në të dytën Napoli goditi traversën me Osimhen. Ndeshjen e vendosi Vesino me një të djathtë të fuqishme nga jashtë zonës. Në fund një gjuajtje e lirë e Milinkoviç-Saviç u stampua aty ku bashkohen shtyllat.

Hysaj ishte titullar në këtë ndeshje për Lacion. Futbollisti i Kombëtares ka dalë fitimtar në stadiumin ku ka luajtur për disa vite me faellën e Napolit. Ai ka rigjetur formën dhe kjo është diçka pozitive në prag të ndeshjeve të Kombëtares. Edhe Amir Rrahmani luajti 90 minuta për Napolin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë