Futboll

Hysaj perfekt ndaj Juventusit, gafa e Strakoshës i kushton Lacios

Fundjavë pozitive për futbollistët e Kombëtares shqiptare. Në Itali, ku luajnë disa prej tyre, kapiteni Elseid Hysaj duket se po kthehet në kohët e tij më të mira. Në fitoren 2-1 të Napolit ndaj Juventusit kryesues, shkodrani ishte mes tre lojtarëve më të mirë për skuadrën e tij, bashkë me kapitenin Insinje dhe Zielinskin.

Hysaj është vlerësuar me notën 7, si asnjëherë këtë sezon. Për paraqitjen e mbrojtësit të djathtë, shtypi sportiv italian shkruan: “Një pjesë e parë e mirë e futbollistit shqiptar, i cili e limiton në maksimum Kristiano Ronaldon. Në pjesën e dytë bën akoma më mirë dhe në fund është një nga më të mirët për Napolin”. Me ardhjen e trajnerit Gazuto, Hysaj ka pasur më shumë hapësirë dhe nga java në javë po e rrit nivelin e tij, çka e bën edhe më të paqartë të ardhmen e mbrojëtsit, pasi Napoli mund ta heqë nga lista e atyre që janë në shitje.

Hysaj në dyluftim me Ronaldon. Gazeta Si, 27 janar 2020

Tomas Strakosha kishte një ndeshje të rëndësishme të dielën, derbin me Romën. Portieri kuqezi ka bërë një gafë në rastin e golit të Romës, duke gabuar në dalje, ndaj dhe është vleërsuar me notën 5. “Gabon rëndë në golin e Xhekos, pasi del keq dhe në kohë vonesë. Por më pas e merr veten dhe me dy-tre pritje vendimtare e ndihmon Lacion të marrë barazimin në derbi”, - shkruhet në vlerësimin për Strakoshën. Gafa e tij në fakt u eklipsua nga një gafë më e rëndë e portierit të Romës, Pau Lopez, i cili i fali golin e barazimit Lacios.

Dalja e gabuar e Strakoshës në derbin me Romën. Gazeta Si, 27 janar 2020

Edhe Marash Kumbulla ka qenë në lartësinë e zakonshme. Mbrojtësi i ri kuqezi është vlerësuar me notën 6.5 për paraqitjen në fitoren e thellë të Veronës ndaj Leçes. Një paraqitje e ngjashme me atë të Amir Rrahmanit, të cilët, sipas shtypit italian, ishin të vëmendshëm dhe nuk u lanë asnjë hapësirë e sulmuesve të Leçes. Titullar ka luajtur edhe mbrojtësi tjetër kuqezi, Berat Gjimshiti, i cili ka shijuar fitoren 0-7 të Atalantës në fushën e Torinos. Mesfushori Emanuele Ndoj luajti 20 minuta në humbjen 0-1 të Breshias ndaj Milanit. Berisha ishte pa fat këtë herë, teksa Spali i tij mund 1-3 në derbin me Bolonjën.

Në Gjermani, “derbin” mes Amir Abrashit dhe Klaus Gjasulës e ka fituar Paderborni me rezultatin 0-2. Gjasula luajti 75 minuta në këtëndeshje, kurse Abrashi vetëm pjesën e parë. Tani Paderborni shpreson te mbijetesa. Në fundjavë ka gjetur rrugën e rrjetës sulmuesi Armando Sadiku. Ai shënoi golin e dytë në barazimin 2-2 të Malagës ndaj Mirandes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë