Futboll

Hysaj kundër arbitrit në Itali: Ishte penallti, në të kundërt do shënoja gol

Gazeta Si – Lacio humbi pas dy muajsh në Serinë A. Një humbje e papritur në ‘Olimpico’ ndaj Torinos, 0-1, që u pasua nga polemika në kampin lacial. Përveç trajnerit Mauricio Sarri, pas humbjes foli edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili drejtoi gishtin kundër arbitrit.

“Është një ndeshje që lë një shije të keqe, por nuk mund të dorëzohemi pas një humbjeje. Do të jemi në gjendje të përqendrohemi si më parë”, - ka theksuar mbrojtësi kuqezi, i cili ishte protagonist i një rasti të diskutueshëm, që për Hysajn është penallti e mohuar.

Hysaj gjate nje ndeshjeje. Gazeta Si, 23 prill 2023

“Është penallti, po të mos ishte nuk do të rrëzohesha, por do të shkoja të shënoja gol. Penalltia është neto, arbitrimi ishte në një nivel që la për të dëshiruar. U pa në shumë raste, jo vetëm te ky episod. Na krijoi vështirësi arbitri dhe Torino. Ne bëmë ndeshjen dhe ishim në lojë deri në fund, por dolëm pa pikë. Nuk mund të jemi brenda arbitrimit dhe gjërave të tjera”, - shtoi Hysaj.

“Me Interin do të jetë një ndeshje e bukur. Janë edhe shumë ndeshje, edhe shumë pikë në lojë. Nëse bëjmë llogari, 8 ndeshje më parë ishim poshtë në renditje, por tani jemi në vend të dytë. Duhet kujdes deri në fund”, - theksoi Hysaj.

Trajneri i Lacios, Sarri, i pyetur pas ndeshjes me Torinon në lidhje me çështjen e Juventusit, të cilit iu rikthyen 15 pikët e hequra, u përgjigj shkurt: “Kampionat fals!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë