Biznes

Hyrjet në Shqipëri u rritën me 50% gjatë shkurtit. U dyfishuan udhëtarët tranzit

Nga Gazeta ‘SI’ - Në shkurt 2023 në Shqipëri u regjistruan 695 mijë hyrje, mbi 50% më shumë se shkurtin e vitit 2022. Nga hyrjet, 385.921 ishin shqiptarë dhe u rritën po ashtu me rreth 50% për të njëjtën periudhë, sipas INSTAT.

Pjesa tjetër ishin të huaj, 54% më shumë.

Sipas qëllimeve, ndonëse pjesa më e madhe e hyrjeve janë për qëllime personale, pushime, vizita, 56%, tranziti ka pasur rritjen më të madhe, mbi 100%, në raport vjetor. Për dy muajt janar-shkurt 2023, udhëtarët tranzit që hynë në Shqipëri ishin 31.3 mijë, nga 15.4 mijë në janar - shkurt 2022.

Daljet e shënuara për të njëjtën periudhë, janë 693 mijë, duke shënuar një rritje me 40.3%, në raport vjetor. Nga këto, 390 mijë ishin shqiptarë, 33% më shumë se në shkurtin e 2022-shit. 303 mijë, ishin të huaj, me 52% rritje.

Në dy muajt e parë të vitit, në Shqipëri raportohen 1.5 mln hyrje nga të cilat 842 mijë ishin shqiptarë. Për të njëjtën periudhë kohe, raportohen 1.65 mln dalje, nga të cilat 932 mijë shqiptarë.

Në Shkurt 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 300 mijë shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 6.250 dhe 1.363 shtetas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë