Politike

Hungaria: Ne s’vendosim kushte për Shqipërinë, por disa vende të BE-së po

Ambasadori i Hungarisë në vendin tonë, Lorant Balla ka pohuar sot raportet që qarkullojnë gjerësisht ne media se Brukseli po mendon vendosjen e disa kushteve përpara hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Ambasadori Lóránt Balla, vendi i të cilit do të marrë Portofolin e Zgjerimit, duke pasur kështu një rol kyç për integrimit europian të Shqipërisë, komentoi sot lajmet për një “po” me kushte për vendin tone, duke deklaruar se Budapesti ishte kundër këtij skenari.
Duke folur në kuadër të nisjes së Javën Hungareze, për të cilën Ambabasa po organizon tre muaj aktivitete të njëpasnjëshme, Ambasadori shprehu edhe njëherë mbështetjen e Budapestit për integrimin e rajonit dhe vendit tonë.

Duke folur me një shqipe të pastër, ai thotë se Hungaria kërkon që negociatat të hapen në tetor pa kushte si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.

“Dua të përsëris se në jemi për çeljen e negociatave pa kushte. Vendet e tjera mund të kërkojnë të tjera gjëra, por ne kemi kërkuar gjithmonë fillimin e negociatave", deklaroi zoti Balla. "Megjithatë për hapjen e negociatave, mund të kërkohen gjëra që tani nuk funksionojnë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, pastaj edhe jeta parlamentare të rikthehet në vazhdën normale, edhe zgjedhjet të përmirësohen sipas kërkesave të OSBE-së."

Ambasadori i Hungarisë në vendin tonë, Lorant Balla dhe presidenti Meta

Duke folur për krizën politike në Shqipëri, ai tha se nuk i takonte Hungarisë të ndërhynte dhe të komentonte çështjen e brendshme të vendit tonë, por dha një mesazh të fshehur duke kujtuar herën e para që kishte ardhur në Shqipëri, që përpara shembjes së sistemit komunist, dhe përparimet e jashtëzakonshme që ka bërë vendi ynë.

I pyetur nga Gazeta Si nëse Komisioneri hungarez i nominuar për Portofolin e Zgjerimit, do të këmbëngulë për përmbushjen e kushteve të vendosura nga Berlini, ai tha se Komisioneri i ardhëm hungarez duhet ti përmbahet direktivave të Brukselit, pavarërisht vullnetit të qeverisë hungareze për hapjen e menjëhershme të negociatave.

“Një komisioner kurrë nuk është më i fortë se vetë Komisioni. Nëse ka një vendim të tillë kuptohet se komisionerët duhet të punojnë sipas pozicionit të BE-së. Megjithatë kuptohet që ne kërkojmë që negociatat të hapen sa më herët, pa kushte. Kuptohet që gjatë procesit të negociatave, i cili do të zgjasë disa vite, mund të kërkohën të tjera gjëra”, shprehet Ambasadori Balla.

Ai i thotë Gazetës Si se nëse merr portofolin e zgjerimit, Hungaria do të jetë një aktor edhe më aktiv në Shqipëri dhe Ballkan dhe do të bëjë çmos që negociatat të hapen sa më herët dhe procesi të ecë sa më shpejt.

Duke folur për mundësinë e refuzimit të ish-ministrit Laslo Trocsani nga Parlamenti Europian, ai tha se Hungaria do të propozonte një tjetër komisioner, duke mbajtur kështu portofolin e zgjerimit. Sipas tij, zoti Trocsani është kandidati ideal për të pasuar Johannes Hahn si komisioner i Zgjerimit.

“Hungaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e madhe e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Zoti Trocsanyi ka qenë ambasador dy herë, njëherë në Berlin dhe njëherë në Paris. Ish-ministër i Drejtësisë, ka punuar edhe me komisionin e Venecias, është edhe frankofon. Ne mendojmë se person më të përshtatshëm për këtë detyrë nuk ekziston. Por edhe nëse nuk ka pëlqim do te ketë një propozim nga e njëjta origjinë, po nga partia qeveritare hungareze. Nëse zoti Troscani nuk pranohet do të ishte e çuditshme të kishte një propozim të një komisioneri që vjen nga opozita hungareze”, deklaron ambasadori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë