Futboll

Humb jetën ish-presidenti i Marsejës, njeriu që shenjoi karrierën e Canës

Ish-presidenti i Olimpik Marsejës, Pape Diouf, është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare për shkak të Koronavirusit. Lajmi është bërë i ditur nga “RTS”, kanali televiziv publik në Senegal. Pape Diouf duhej të kthehej në Francë me avion nga Dakari, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.

Diouf ishte shtruar në spital, pasi ishte infektuar nga Koronavirusi, duke marrë asistencën e nevojshme mjekësore, por nuk ia doli të mbijetojë. Pikërisht sot ai duhej të transferohej në Nisë me një avion special, pas rakordimit të Ambasadës Franceze në Senegal, por më kot. Ish-gazetari, agjenti i shumë futbollistëve dhe më pas presidenti i Olimpik Marsejës, Diouf kontribuoi veçanërisht në rikthimin e ekipit të madh francez te titulli kampion pas 17 vjetësh.

Pape Diouf, ish-president i O.Marsejës

Pape Diouf është njeriu që ka ndikuar drejtpërdrejt në karrierën e ish-kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana. Ishte pikërisht ai që e mori nga PSG-ja rivale e përjetshme në vitin 2005. Mbështetja për Canën ishte maksimale nga ish-presidenti. Ish-mesfushori kuqezi u bë në atë kohë një nga liderët e skuadrës dhe kapiten i saj. Kujtojmë që në atë periudhë në radhët e Olimpikë Marsejës luanin lojtarë si Frenk Riberi, Samir Nasri, Xhibril Sise, Bruno Shejru etj. Lorik Cana pati shpërthimin e tij me fanellën e Olimpikut, duke u bërë një nga lojtarët më të dashur për tifozët deri në vitin 2009, kur kaloi në Premier League, te Sandërlendi.

Lorik Cana me fanellën Olimpik Marsejës. Gazeta Si, 1 prill 2020

Nuk mund të mungonte reagimi i ish-kapitenit kuqezi pas lajmit për ndarjen nga jeta të Pape Diouf. “Ditë e trishtë për mua dhe familjen time, pasi mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të Pape Diouf. Një lajm i trishtë për familjen e Olimpik Marsejës. I nderuar të isha miku, lojtari dhe kapiteni juaj. Prehu në paqe president”, - shkruan Lorik Cana në profilin e tij hë Instagram.

Pape Diouf, Lorik Cana dhe babai i tij, Agim Cana. Gazeta Si, 1 prill 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë