Biznes

Huawei: Mund t’i mbijetojmë një lufte edhe më të ashpër me SHBA

Themeluesi dhe CEO i Huawei ka një mesazh besimplotë për liderët e biznesit dhe politikanët që mblidhen në Davos: Kompania e tij mund të dalë faqebardhë edhe pas një armiqësie më të madhe nga ana e SHBA-ve.

"Ne fituam eksperiencë vitin e kaluar dhe kemi një ekip të shkëlqyer, mendoj se kemi më shumë besim në vete që na bën t’u mbijetojmë edhe goditjeve të mëtutjeshme," është shprehur Ren Zhengfei këtë të martë gjatë një paneli të Forumit Ekonomik Botëror.

Megjithë një armëpushim të brishtë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për tregtinë, me marrëveshjen e "fazës së parë" të nënshkruar në Uashington javën e kaluar, dy ekonomitë më të mëdha në botë mbeten ende në një betejë mbi epërsinë e teknologjisë. Huawei është në qendër të asaj beteje.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën prodhuesin kinez të pajisjeve inteligjente dhe telekomunikacionit në një listë të zezë për eksportet, duke kufizuar aftësinë e saj për të blerë komponentë nga furnizuesit amerikanë. Bloomberg ka raportuar se qeveria amerikane po mendon të ndërmarrë masa edhe më të ashpra për kompaninë.

Administrata Trump po nxit gjithashtu aleatët e saj si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania të përjashtojnë pajisjet Huawei nga rrjetet e tyre 5G. Zyrtarët amerikanë argumentojnë se kompania paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare, një akuzë që Huawei e ka mohuar gjithmonë.

Ren, duke folur në një panel të titulluar "Një e ardhme e formuar nga gara e armëve të teknologjisë", tha se biznesi i kompanisë mbetet i fortë edhe pasi u vendos në listën e zezë të SHBA-ve në vitin 2019.

"Kjo nuk na dëmtoi shumë," tha ai. "Ne në fakt u kemi rezistuar sfidave." Në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm, u shpreh themeluesi dhe CEO i Huawei, "ndikimi në biznesin e kompanisë nuk do të ishte shumë domethënës."

Një ekzekutiv i lartë i Huawei tha në dhjetor se të ardhurat nga shitjet për vitin 2019 u rritën rreth 18% në krahasim me një vit më parë, megjithëse ai pranoi që viti 2020 mund të ishte më i vështirë.

Huawei mbetet në një pozicion politik delikat. Meng Wanzhou, vajza e Ren dhe zyrtare kryesore financiare e kompanisë, është në gjykatë në Vancouver këtë javë për seancat që përfundimisht mund të përcaktojnë nëse ajo do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara ose jo, teksa përballet me akuza të ashpra për mashtrim bankar dhe shkelje të sanksioneve./CNN/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë