Hoxha i xhamisë së Lezhës ka bërë një propozim të pazakontë gjatë takimit të ambasadores së BE me qytetarët, kërkoi rikthimin e dënimit me vdekje në vendin tonë, por përgjigja e Vlahutin ishte e prerë “Nuk pranohet nga BE”.
Duke iu referuar vrasjes të ndodhur në Kamëz, ku u vra pronari i një dyqani, hoxha i kërkoi Vlahutin që të japin dritën jeshile për rikthimin e dënimit me vdekje, por kjo gjë të mos ndikojë në integrimin e vendit.
“Shqipëria është një rast i veçantë dhe në komunitetin europian duhet të pranohet si e tillë. Nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhë dhe shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin prej më shumë se dy dekadash. Nëse ju jepni dritën jeshile, ne si komunitet mysliman dhe OJQ-të do të lobojmë tek Parlamenti që kjo të kalojë”- sugjeroi hoxha i Lezhës.
Ambasadorja e BE duke iu përgjigjur hoxhës u shpreh “Ka disa vlera themelore, jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës për të cilin ne po përpiqemi shumë të ndihmojmë që të funksionojë, për të cilin ne po punojmë fort dhe dënimi me vdekje nuk pranohet nga BE”.
Vlahutin së bashku me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj marrin pjesë në “Forumin për sigurinë”, që zhvillohet në Lezhë. Më herët, ambasadorja e BE bëri apel që shqiptarët të mos largohen nga vendi për të kërkuar azil, pasi ndodhen në Evropë.
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.