Ne rrjet

“Hoti dhe Vuçiç e bënë botën më të sigurt”. Trump viziton Kosovën dhe rajonin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka komentuar sërish sot marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ky pakt do ta bëjë Ballkanin dhe botën, më të sigurt.

“Një hap i tillë ka kërkuar guximin e jashtëzakonshëm nga ana e udhëheqësve”, thotë Trump, në një deklaratë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. “Guximi i jashtëzakonshëm” i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic dhe i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë i nevojshëm për t’i nisur këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington, për t’i finalizuar detyrimet”.

"Duke e bërë këtë, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt", shton presidenti Trump.

Pak pas deklartaës së Trump, i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka njoftuar  se presidenti Donald Trump do të vizitojë shumë shpejt Kosovën dhe rajonin.

“Të gjithë tani janë të fokusuar në politikë, përderisa ne jemi të fokusuar në ekonomi. Duam që kapitalizmi të mbizotërojë në rajon dhe përmes krijimit të vendeve të reja të punës të bëjmë atë që nuk kanë arritur tjerët në aspektin politik”, tha Grenell.

Duke folur në një emision radiofonik në Çikago, ai tha se e ka nxitur Trumpin që të vizitojë Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin.

“Presidenti Trump ka thënë se mezi pret të vijë në vizitë. Ende nuk kemi datë apo detaje, por tashmë e kemi tejkaluar pengesën e parë”, ka thënë Grenell.

Kjo do të ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në rajon në dekadë dhe sic thonë mediat amerikane nuk do të përfshinte vetëm Serbinë dhe Kosovën, por edhe vende të tjera të Ballkanit.

Ky vendim i kreut të Shtëpisë së Bardhë vjen më shumë se një javë pasi Hoti dhe Vuçic kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Uashington. Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në të njëjtin dokument, por secila veç e veç. Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë