Motosport

Hornergate/ Formula 1 i bën presion Red Bull-it të mbyllë hetimin para Botërorit

Gazeta Si – Organizatorët e Botërorit kanë ndërhyrë për çështjen, ku është përfshirë drejtuesi kryesor dhe CEO i skuderisë kampione bote.

"Kemi mësuar se Red Bull ka hapur një hetim të pavarur në lidhje me akuzat e brendshme të kësaj skuadre. Shpresojmë që kjo çështje të qartësohet sa më parë të jetë e mundur, pas një procesi të thellë. Për momentin nuk duam të komentojmë më shumë”. Ky është qëndrimi i Formula 1 në lidhje me çështjen ‘Horner’.

Pilotët dhe inxhinierët janë duke numëruar orët që na ndajnë nga testet zyrtare para kampionatit, ndërkohë Formula 1, si organizatore e kompeticionit, ka mbajtur qëndrim zyrtarisht për çështjen ‘Horner’, duke lënë të kuptohet se Red Bull Racing duhet ta mbyllë hetimin sa më parë. I përkthyer ky qëndrim do të thotë se duhet marrë një vendim para Botërorit, që fillon më 2 mars, në Bahrejn.

Çështja e brendshme e Red Bull-it shpërtheu ditët e para të shkurtit. Kristjan Horner akuzohet për sjellje të pahijshme me sfond seksual ndaj një punonjëseje të kompanisë. Formula 1 tashmë ka thyer heshtjen mbi atë që është quajtur 'Hornergate’ dhe ka kërkuar nga Red Bull-i të përshpejtojë procesin.

Akuzat ndaj Horner janë shtuar kohët e fundit, pas lajmit të ‘De Telegraaf’ se ai ka dashur ta mbyllë këtë çështje, duke ofruar një shumë të majme për ‘viktimën’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë