Bota

Holandë, jep dorëheqjen kryeministri Mark Rutte dhe kabineti i tij

Qeveria e Holandës, e udhëhequr nga kryeministri Mark Rutte, ka dhënë dorëheqjen. Ekzekutivi, i mbështetur nga 4 parti, ka vendosur të marrë përgjegjësitë politike sa i takon skandalit që shpërtheu pas një hetimi për pagesat e asistencës së të miturve. Qeveria do të qëndrojë në detyrë deri në momentin që të formohet një koalicion i ri, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 marsit.

Rutte ka thirrur kabinetin në një mbledhje, ku ministrat kanë dhënë dorëheqjen dy muaj para zgjedhjeve. Një dorëheqje që shihet si një lëvizje kryesisht politike, duke parë që qeveria do të jetë në detyrë deri në një koalicion të ri.

Pas hetimit të pagesës së asistencës për minorenët, mijëra familje u akuzuan se kanë kërkuar me anë të mashtrimit paga për minorenët për periudhën 2013-2019. Autoritetet përkatëse kanë kërkuar pas këtij hetimi rimbursimin e mijëra eurove për dhjetëra familje, duke i çuar ato në rrënim financiar dhe drejt divorcit.

Një raport parlamentar e ka përkufizuar "një padrejtësi të paprecedentë” këtë çështje, pasi është kërkuar rikuperimi i shpejtë i mijëra eurove, pa u garantuar të akuzuarve mundësinë për të treguar pafajësinë e tyre.

"E gjithë qeveria merr përgjegjësitë”, - ka thënë Rutte, i cili është kryeministër i Holandës që në vitin 2010. Ai e ka quajtur të turpshme çështjen, ndërsa vendimi për dorëheqjen ka qenë unanim nga kabineti. “Shteti i të drejtave duhet t’i mbrojë qytetarët, por gjërat shkuan keq”, - ka shtuar Rutte. Qeveria holandeze do të punojë për të rimbursuar sa më shpejt prindërit e akuzuar padrejtësisht.

Pavarësisht dorëheqjes nga ekzekutivi, Rutte do të vazhdojë të jetë lideri i partisë VVD në Holandë. "Personalisht, nuk kam pasur lidhje direkte me çështjen, por indirekte. Mendoj se duhet të vazhdoj si lider partie”, - u shpreh Rutte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë