Futboll

Historia/ Kur Herri Kejn do të përfundonte te Livorno për gjysmë milioni euro

Gazeta Si – Në 2013-ën klubi italian po kërkonte një sulmues, por nuk arriti akordin me Totenhemin. Më pas Livorno rrëshqiti deri në Serinë D, kurse sulmuesi anglez u ngjit në majën e botës së futbollit.

Fatit asnjëherë nuk i dihet. Me golin e realizuar ndaj Mançester Sitit, Herri Kejn u bë shënuesi më i mirë në historinë e Totenhemit (267 gola). Sot ai është rreziku numër 1 i Milanit në Champions dhe vjen në ‘San Siro’ si legjendë e ‘Spurs’-ave, por 10 vjet më parë ishte shumë afër Serisë A. Ishte vera e 2013-ës dhe Livorno e kishte në planet e merkatos…

Herri Kejn. Gazeta Si, 14 shkurt 2023

Historinë e tregon vetë Aldo Spineli, presidenti i toskanëve për gati 20 vjet. "Po, është gjithçka e vërtetë, ishte vera e 2013-ës dhe ne po bëheshim gati të fillonim sezonin. Duke folur me Franko Baldinin (në atë kohë drejtor teknik i Totenhemit) doli në skenë emri i Kejn, por nuk pati bisedime konkrete me klubin. Gjithçka mbeti në kuadrin e fjalëve”, - ka thënë Spineli.

Në atë kohë Kejn kishte mbyllur një sezon shumë të vështirë me dy huazime, te Noruiçi (3 ndeshje) dhe te Leiçesteri (2 gola në 15 ndeshje). Me Davide Nikolën në stol, Livorno kishte siguruar rikthimin në Serinë A, pas fitores në ‘play-off’-in e Serisë B me Empolin.

Në 2013-ën Herri Kejn nuk kishte terguar ende vlerat e tij dhe vlerësohej rreth 500.000 euro, por Livorno preferoi të fokusohej tek emra të tjerë. Në fund zgjodhi për sulmin Inosent Emegarën, i marrë në huazim nga Siena për një milion euro.

Nigeriani i natyralizuar zviceran shënoi që në debutim ndaj Sasuolos, ndërsa në total gjatë sezonit realizoi 4 gola dhe dha 7 asiste, që nuk mjaftuan për të evituar rënien nga kategoria. Livorno e mbylli sezonin në vend të fundit me 25 pikë.

Po Kejn? Vendosi të qëndronte në Londër dhe filloi aventurën te Totenhemi. Sezonin e parë të vërtetë e mbylli me 3 gola në 10 ndeshje në Premier Ligë dhe 7 ndeshje në Ligën e Europës. Më pas ai u shndërrua në ‘Hurricane’ (uragani). Filloi të thyente rekordet një e nga një. Së pari fitoi titullin e të riut më të mirë të kampionatit në 2015-ës.

Kejn u shpall shënuesi më i mirë i Premier Ligës në 3 raste: 2016, 2017 dhe 2021. Ai arriti në finale të Championsit në 2019-ën, kur u mund nga Liverpuli. U bë ndërkohë edhe rekordmeni i golave në kombëtaren angleze, duke kapur Runin në majën e klasifikimit të shënuesve më të mirë të Anglisë, me 53 gola.

Me Totenhemin ka fituar vetëm tituj individualë, me Anglinë e mbylli Botërorin e 2018-ës në vend të 3-të dhe humbi finalen e Europianit 2021 ndaj Italisë. Mbrëmjen e sotme do të udhëheqë Totenhemin në ‘San Siro’ kundër Milanit. Livorno ndërkohë vuan në Serinë D. Kushedi, po të kishte zgjedhur Kejn, historia do të ishte tjetër…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë