Histori

Historia e pabesueshme e Hakan Sukur, nga yll futbolli në shofer Uber

Nga Serie A në një punë modeste, larg shtëpisë. Mund të jetë një histori e rëndomtë, e një lojtari i cili, siç ndodh shpesh, nuk ka qenë në gjendje të ruajë paratë që i ka dhënë futbolli. Por në fakt, historia e Hakan Sukur është një çështje tërësisht ndryshe. Ish-sulmuesi i Torinos, Interit dhe Parmës, medalje bronzi në Kupën e Botës 2002 me Turqinë, duhej të largohej nga vendi i tij. Përplasjet me Erdogan-in, e detyruan të fillojë jetën diku tjetër. Në Shtetet e Bashkuara, më saktë në Uashington. Ku tani, për të fituar jetesën, ai është një shofer taksie për kompaninë Uber dhe shet libra.

Në Turqi, ai nuk mund të kthehet më, është i padëshiruar. Dhe gjetja e një punë të re nuk ishte gjithashtu e lehtë. “Nuk kam më asgjë. Erdogani m’i mori të gjitha. Më hoqi të drejtën e lirisë, të drejtën e fjalës, të shprehjes dhe të punës. Pas çdo deklarate që bëja, më kërcënonin”. Dhe të mendosh që karriera e tij politike, ka nisur pikërisht në partinë e presidentit, AKP, në radhët e së cilës u zgjodh deputet. Fillimisht çdo gjë shkonte mirë , por pastaj ... “Partia më ftoi të në politikë, për të përfituar nga fama ime. Pastaj filluan problemet ”. Me dorëheqjen, në 2013 pas një skandali korrupsioni, marrëdhëniet me njeriun më të fortë të Ankarasë u prishën. Dhe befas, ndryshon gjithçka. Fillimisht, pasojat i paguan familja. “Goditën me gurë dyqanin e gruas time, kërcënuan fëmijët e mi ” .

https://www.youtube.com/watch?v=6oP4gmShC2Q
Hakan Sukur, në 2002, shënoi me Turqinë ndaj Koresë së Jugut golin më të shpejtë, në 11 sekonda (3-1 ndeshja)

I gjendur në këtë situatë, zgjidhja e vetme ishte arratisja, edhe me koston e të qenurit larg prindërve: “Kur u arratisa, burgosën babanë dhe më konfiskuan çdo pasuri. Njerëzit që kanë lidhje me mua e kanë jetën shumë të vështirë në Turqi”. Aktualisht babai i Sukur ndodhet në arrest shtëpiak, për shkak se është i sëmurë me kancer. Ashtu si e ëma. “Është një moment shumë i vështirë për ta, sepse gjithashtu kanë probleme ekonomike”. Në vitin 2016, ish-lojtari i Interit, u akuzua si pjesëmarrës në grushtin e shtetit që mendohet se e organizoi Fetullah Gulen. Madje edhe në Shtetet e Bashkuara, fillimi nuk ka qenë i lehtë. "Kam pasur një kafene, por vinin njerëz të çuditshëm dhe këndonin këngë nacionaliste turke."  

Përkundër gjithë kësaj, megjithatë, ai ka një mesazh për Erdogan: “Ai duhet të jetë presidenti që ka nevojë Turqia. Të rikthejë demokracinë, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut”. Ndërkohë, futbolli është vetëm një kujtim për të. Një punë "normale", në një jetë që nuk mund të jetë aq normale ...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë