Kuriozitete

Historia 1000-vjeçare pas Bluetooth-it

Një mbret viking, dy gurë me mbishkrime dhe një teknologji që sot lidh miliarda pajisje. Historia e Bluetooth-it nis më shumë se 1,000 vjet më parë në një qytet të vogël të Danimarkës.

Bëhet fjalë për Harald Gormsson, mbretin danez të shekullit X, i njohur me nofkën Bluetooth- Blatǫnn në gjuhën e vjetër norse.

Gjurmët e mbretërimit të tij ruhen ende në Jelling, një qytet i vogël në Danimarkë, rreth 250 kilometra në perëndim të Kopenhagës. Atje ndodhen dy gurë të lashtë me mbishkrime runike që tregojnë historinë e Haraldit dhe të një periudhe vendimtare në formimin e Danimarkës.

Mbreti që u bë simbol i bashkimit

Harald Gormsson sundoi Danimarkën në shekullin X dhe besohet se e mori nofkën Bluetooth për shkak të një dhëmbi me ngjyrë të errët, blu ose të kalbur. Nofka është dokumentuar për herë të parë rreth 150 vjet pas vdekjes së tij.

Një nga arritjet më të rëndësishme të Haraldit ishte përhapja e krishterimit në Danimarkë, një proces që mendohet të ketë ndodhur rreth vitit 965.

Guri i madh i Jellingut, i porositur prej tij, shpall se Harald “fitoi të gjithë Danimarkën dhe Norvegjinë dhe i bëri danezët të krishterë”. Në të gjendet gjithashtu një nga paraqitjet më të hershme të Krishtit në Skandinavi.

Në atë periudhë, Evropa veriore ishte e ndarë në territore të vogla të drejtuara nga prijës të ndryshëm. Për Haraldin, krishterimi nuk ishte vetëm një ndryshim fetar. Ai u shërbeu gjithashtu proceseve të centralizimit të pushtetit dhe forcimit të lidhjeve të Danimarkës me pjesën tjetër të Evropës së krishterë.

“Është procesi i ndërtimit të kombit danez pas 200 viteve të epokës së vikingëve”, shpjegon Adam Bak, kurator në Qendrën e Përvojës dhe Muzeun Kongernes Jelling.

Sipas tij, shoqëritë nordike po përjetonin një periudhë të shpejtë ndryshimesh dhe po njiheshin gjithnjë e më shumë me format politike dhe fetare që ekzistonin në Evropë.

Jellingu, vendi ku u shkrua historia e Danimarkës

Historia e Harald Bluetooth-it është e gdhendur në peizazhin e Jellingut.

Babai i tij, Gormi, porositi gurin më të vogël dhe më të vjetër të qytetit, në kujtim të gruas së tij, Thyra. Guri konsiderohet dëshmia më e hershme e njohur e përdorimit të emrit “Danimarkë” në territorin e vendit.

Për këtë arsye, Jellingu është quajtur shpesh “certifikata e lindjes së Danimarkës”.

Sot qyteti ka rreth 4,000 banorë, por më shumë se një mijë vjet më parë ishte një qendër e rëndësishme e pushtetit.

Fillimisht një vendvarrim pagan, Jellingu u shndërrua gjatë mbretërimit të Haraldit në një hapësirë ku traditat pagane dhe krishterimi i ri u ndërthurën.

Kisha, tumat e varrimit dhe gurët runikë të Jellingut u përfshinë në vitin 1994 në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke e bërë Jellingun vendin e parë të Danimarkës që mori këtë status.

Sot, shtylla të bardha shënojnë vendndodhjen e gardhit mbrojtës që dikur rrethonte monumentet, ndërsa qindra shenja në terren tregojnë konturet e një strukture të madhe në formë anijeje, që besohet se lidhej me Thyra-n.

Dy tuma varrimi dhe një kishë e krishterë plotësojnë peizazhin historik.

Në qendrën e vizitorëve Kongernes Jelling, ekspozitat interaktive tregojnë transformimin e shoqërisë daneze nga besimet vikinge drejt krishterimit. Dy gurët runikë ruhen pas xhamit dhe vazhdojnë të jenë dëshmitarë të kësaj periudhe vendimtare.

Si u kthye një mbret viking në emër të teknologjisë

Pothuajse 1,000 vjet pas vdekjes së Harald Bluetooth-it, emri i tij mori një jetë të dytë.

Në fund të viteve 1990, inxhinierë nga kompani si Intel, Ericsson, Nokia, IBM dhe Toshiba po punonin për një teknologji të re që do të mundësonte komunikimin pa tel mes pajisjeve të ndryshme.

Teknologjia kishte nevojë për një emër të koduar.

Jim Kardach, një inxhinier amerikan i Intel-it, po bashkëpunonte me kolegë suedezë kur bisedat mes tyre u zhvendosën te historia e vikingëve.

Kardach filloi të lexonte për Harald Bluetooth-in dhe gjeti një paralele mes mbretit të shekullit X dhe teknologjisë që po zhvillonin: Harald kishte bashkuar territore dhe popuj të ndryshëm, ndërsa teknologjia e re do të mund të lidhte pajisje të ndryshme, pavarësisht nga marka e tyre.

Kështu lindi emri i koduar Bluetooth.

Emri fillimisht nuk ishte menduar domosdoshmërisht si emri përfundimtar i teknologjisë. Por ai u bë aq i njohur sa mbijetoi edhe përtej fazës së zhvillimit.

“Ekspertët e PR-it e urrenin emrin”

Emri nuk u prit me entuziazëm nga të gjithë.

Sipas Adam Bak, specialistët e marrëdhënieve me publikun ishin të shqetësuar se fjala “Bluetooth” do t’u kujtonte njerëzve dhëmbët e këqij dhe higjienën e dobët orale.

Për këtë arsye u propozuan edhe emra të tjerë, më të drejtpërdrejtë dhe më të lidhur me funksionin e teknologjisë.

Por Bluetooth mbeti.

Dhe pikërisht karakteri i pazakontë i emrit ndihmoi që ai të bëhej i dallueshëm në mbarë botën.

Edhe logoja tregon historinë e Haraldit

Lidhja me mbretin viking nuk përfundon te emri.

Logoja e Bluetooth-it është krijuar duke bashkuar H dhe B, inicialet e Harald Bluetooth-it.

Kështu, një simbol që sot shfaqet në telefona, kompjuterë, makina, kufje dhe pajisje të panumërta elektronike është në fakt një kombinim i shkrimit të lashtë nordik.

Një “falje” pas 1,000 vjetësh

Në vitin 2023, me rastin e 25-vjetorit të teknologjisë Bluetooth, Jim Kardach dhe disa nga pionierët e saj udhëtuan drejt Kongernes Jelling.

Me humor, ata shkuan për të “kërkuar falje” për përdorimin e emrit të Harald Bluetooth-it pa lejen e tij.

Muzeu e pranoi “kërkimfaljen” dhe, në mënyrë simbolike, u dha leje ta përdornin emrin edhe për 1,000 vitet e ardhshme.

Në fund të fundit, historia duket sikur i përshtatet mirë figurës së Harald Bluetooth-it.

“Haraldit i pëlqente të binte në sy”, thotë Adam Bak.

Dhe ndoshta mbreti viking do të ishte i kënaqur të dinte se, më shumë se një mijë vjet pas vdekjes së tij, miliarda njerëz në të gjithë botën e përdorin dhe e përmendin emrin e tij çdo ditë- sa herë që lidhin dy pajisje me Bluetooth.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë