Njerez

Histori e trishtë, 7-vjeçari “izolohet” me prindërit e sëmurë në spital

Në këto ditë të fundit të gushtit nuk ka vetëm fotografi nga plazhi apo udhëtimet e pushimeve. Fotografitë e një familje që ndodhet në spitalin e Korçës kanë tronditur rrjet sociale. Enkelejda dhe Bledari janë burrë e grua nga fshati Poloskë i Devollit. Përtej skamjes, ata i ka mposhtur edhe shëndeti, pasi të dy janë të sëmurë. Burrë e grua, i shohim të shtrirë në nga një krevat në spitalin e  Korçës. Atyre u qëndron pranë djali i mitur, 7 vjeçar.   

Vogëlushi 7-vjeçar me nënën e tij në spital
Kryefamiljari

Djali i mitur si bashkëvuajtës i dhimbjes së prindërve qëndron në mesin e mikrobeve duke kaluar natën me ta në spital.

Historia e sëmundjes së tyre
Enkelejda Skerma është 38 vjeç dhe siç tregon ajo, semundja i erdhi nga një virozë e stinës. Mjekimi i pakujdesshëm dhe i gabuar i shkaktuan asaj një bakter të rëndë në stomak, duke e lënë në shtrat, pasoja që po i vuan tashmë.
Në situatë të rëndë është edhe Bledari, kryefamiljari. Ai punonte dikur në Greqi dhe siguronte të ardhura për të mbajtur familjen. Por diçka e papritur ndodhi me shëndetin e tij. Një komplikacion i rëndë i pushtoi shtyllën kurrizore. Ai vuan tashmë nga hernie diskale, ndërsa dhimbjet janë të mëdha atij i duhet të kujdeset për djalin e vogël dhe gruan. Ndonëse mjekët e kanë ndaluar kategorikisht të lëvizë, Bledari e ka të pamundur.
Vështirësitë ekonomike i kanë detyruar të jetojnë te shtëpia e vëllait të Bledarit, i cili iu ka liruar një dhomë për shkak të sëmundjes së rëndë që ata kanë.
E ndërsa i ka kapluar skamja dhe dhimbja, meraku i vetëm i tyre tashmë është i vogëlushi 7-vjeçar.
Vogëlushi është “izoluar” bashkë me ta sa në shtëpi aq edhe në spital, duke mos pranuar të dalë as të luajë me shokët.
“Nëse babit dhe mamit i ndodh diçka unë do shkoj me ata dhe nuk do jetoj në këtë botë. Nuk dua të dal jashtë dhe të rri me shokët. Dua të shëroj mamin pastaj dhe babin”, kështu do të shprehej vogëlushi 7-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë