Detyrimi i kontrollit fizik të automjeteve kur ndryshohet pronësia do të hiqet përfundimisht. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku sipas tij, do të eliminohen 60 mijë kontrolle fizike të automjeteve në vit dhe u kursehen qytetarëve 90,000,000 lekë e 30,000 orë pritje në vit.
Rama u shpreh se “puna flet vetë ndërsa llafet e gojëve të shthurura dhe baltën e mendjeve të mbrapshta vijnë e ikin me erën”.
Kreu i qeverisë, thotë se falë rimarrjes në administrim shtetëror këtë vit të Kontrollit Teknik dhe ndërveprimit të sistemeve informatike, certifikata e kontrollit të DPSHTRR heq përfundimisht detyrimin e kontrollit fizik të makinës kur ndërron pronësia.
Ndërkohë, që nga fillimi i vitit 2021, me një vendim të qeverisë, në ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor, Kontrolli Teknik i Automjeteve është i parashikuar të bëhet 1 herë në dy vjet.
Nga ky vendim, përjashtohen makinat e vogla, që përdoren si taksi, si dhe ambulancat, furgonët, autobusët dhe mjete të tjera transporti pasagjerësh dhe mallrash.
Ndërsa duke filluar nga janari i vitit 2022, të gjitha automjetet që kalojnë Kontrollin Teknik, do të kenë të shënuar në certifikatë edhe kilometrat reale të tyre, duke shmangur kështu manipulimet e mundshme që mund të jenë bërë nga tregtarët.
Në certifikatën e kolaudimit të automjetit do të përfshihet edhe numri i saktë i kilometrave totale që ka përshkuar një makinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.