Motosport

Hiqesha si i sëmurë që të mos bëja testet! Ljuis Hemilton rrëfen ‘hilet’ e të kaluarës

Gazeta Si – Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 tregon për ‘Race Fans’ vuajtjet e tij për sesionet e provave. "Nuk më pëlqejnë dhe një herë me Mercedesin sajova diçka që t’i evitoja”, - ka rrëfyer piloti anglez.

Përveç Maks Vershtapenit, makthi i vërtetë i Ljuis Hemiltonit janë testet. Ose të paktën kështu duket nga ajo që ai ka treguar për portalin ‘Race Fans’. Fjalët e pilotit të Mercedesit lënë të kuptohet për një mungesë dëshire prej tij për të bërë kilometra në timon dhe për t’u dhënë të dhëna të rëndësishme inxhinjerëve të skuderisë.

Bezdia për provat e ka shtyrë britanikun që të gjejë mënyra të ndryshme për t’i evituar ato, madje duke u hequr edhe si i sëmurë. "Një here në fabrikë Toto Volf më tha mua dhe punonjësve të tjerë se Xhorxh (Rasëll) ishte i sëmurë. Ai ishte vërtet i sëmurë dhe mua më erdhi në mendje diçka që kishte të bënte edhe me mua.

Në të kaluarën kisha sajuar diçka të ngjashme për të mos kryer testet, duke qenë se nuk më pëlqejnë. Në atë moment mendova se ai më kishte kaluar, kishte kaluar në një tjetër nivel”, - ka thënë Hemilton me humor.

Duhet thënë se gjatë testeve zyrtare nuk janë të shumta rastet kur Hemilton nuk ka zbritur në pistë. Në Barcelonë, në 2015-ën, gjatë provave para sezonit, britaniku ia la vendin kolaudatorit Paskal Vehrlein, por vetëm një ditë. Pesë vite më pas u ndal nga Covid-19 në Bahrejn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë