Shendet

Hiqen maskat, hapen klubet e natës dhe rekomandohet doza e katërt e vaksinës

Komiteti teknik i Ekspertëve hoqi të gjitha masat kufizuese të vendosura për shkak të Covid-19. Masat të cilat u pezulluan janë detyrimi i mbajtjes së maskës në mjedise të mbyllura, heqja e masave në kufi ku nuk do kërkohet nga autoritetet certifikatë vaksinimi apo test PCR, lejimin e muzikës pas orës 23.00 dhe rihapjen e klubeve të natës.
Zëvendësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli, gjithashtu shpjegoi se komiteti rekomandon dozën e katër tek personat +65 vjeç.

Ndërsa Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, ka shpjeguar se në Shqipëri kanë ardhur rreth 3 milionë doza të vaksinës dhe është përdorur 87% e tyre.

“Vaksina më e përdoru në vend është vaksina Pfizer. Në kemi një mbulesë me një dozë rreth mbi 50 %. Mund të themi se rreth gjysma e popullatës është vaksinuar me vaksinën kundër Covid-19.
Bashkitë më të vaksinuara janë Mirdita, Tirana, Belshi, Himara, Saranda dhe Gjirokastra, me nivele vaksinimi mbi 70%. Ndërsa qytetet me më pak vaksinime janë Laçi, Malsia e Madhe, Klos, Elbasani dhe Shkodra”, shpjegoi Bino.
Epidemiologia shtoi se Shqipëria është vendi i tretë në rajon për përqindjen e vaksinimit.
Ndërkaq, drejtoresha e ISHP Eugena Tomini ka theksuar se Covid-19 është ende prezent në vendin tonë. Tomini shpjegoi se në total janë 422 raste aktive në vend dhe më të prekur janë grup moshat 35-40 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë