Politike

Hetimi i Metës, Presidenca: Deputetët në konflikt të dyfishtë interesi

Presidenti reagon sërish për hetimin parlamentar të nisur ndaj tij, duke theksuar për herë të parë se anëtarët e komisionit të posacëm janë në një konflikt të dyfishtë interesi. Arsyen e këtij konflikti e ka dhënë nëpërmjet presidentit Meta, Tedi Blushi duke theksuar se kreu i shtetit e shmangu përgjigjen e pyetjes së deputetit se është në konflikt interesi për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.
"Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi. Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani. Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji", thuhet në reagimin e presidentit.
Pikërisht bëhet fjalë për pyetjen e bërë nga deputeti i PS-së, Adnor Shameti, ku Meta rendit edhe një arsye tjetër se ai është në një konflikt të katërfishtë të konfliktit të interesit.
"Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit; Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019; Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit dhe së katërti aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit", theksoi zëdhënësi Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë