Drejtësia

Hetimet për inceneratorin e Tiranës, GJKKO liron nga burgu ish-zyrtarin e Ministrisë së Mjedisit

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion ka liruar nga qelia, Drejtorin e Politikave në Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi, i akuzuar për aferën e inceneratorëve.

GJKKO bën me dije se ka pranuar kërkesën e Pëllumb Abeshit, duke shuar ndaj tij masën e "arrestit me burg".

Pëllumb Abeshi ishte mes zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mjedisit që u arrestuan për aferën e inceneratorëve, kur ky dikaster drejtohej nga Lefter Koka dhe Sekretar i Përgjithshëm ishte, Alqi Bllako.

Me dyshimet se kanë abuzuar me detyrën, në masë “arrest në burg” janë lënë në fuqi për zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës, si dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. “Arrest në burg” është caktuar për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës, masa ndaj të cilit është ekzekutuar.

Gjithashtu nën hetim edhe për koncesionin e inceneratorit të Tiranës janë vënë edhe 2 biznesmenët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dënuar për korrupsion dhe pastrim parash edhe në dy koncensionet e tjera.

Nën akuzë janë vënë edhe 10 persona të tjerë, anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit. 4 prej të cilëve 4 gra, të cilat janë lënë në “arrest shtëpie” së bashku me Jetimit Llapajn.

Hetimet e SPAK gjetën lidhje sërish mes zyrtarëve të përfshirë ashtu si në procedurat e tjera të inceneratorëve te Elbasanit dhe Fierit.

SPAK po e heton këtë dosje për 4 akuza, korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, pastrim parash dhe mashtrim me pasoja të rënda. Në korrik 2023, Gjykata e Posaçme vuri në sekuestro inceneratorin e Tiranës në kuadër të këtyre hetimeve.

Përveç shkeljeve ligjore, thuajse e gjithë praktika është realizuar në bashkëpunim me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë